Është realizuar faza e pare e projektit “Këndet mike për fëmijë” i mbështetur nga organizata gjermane GIZ, MASHT, dhe MDA foundation, në shkollën Fillore “Xheladin Rekaliu” në Podujevë, njofton Llapi.info
Njëherësh kjo shkollë është shkolla e vetme fituese e këtij projekti nga komuna e Podujevës si dhe e ranguar në vendin e gjashtë në listën e shkollave të përzgjedhura, e që në këtë kanë marrë pjesë mbi 400 shkolla nga 13 komuna të Kosovës.
Në kuadër të projektit shkolla ka përfituar materialet dhe mjetet e nevojshme për ngjyrosjen e të gjitha klasave, ndërsa pjesa tjetër është mbështetur nga Drejtoria e Arsimit ne Podujevë, Këshilli i prindërve dhe komuniteti i bizneseve.
Gjatë pushimit dimëror dhe kohës së grevës është realizuar faza e pare e projektit që ka të bëj me renovimin e brendshëm të shkollës. Kontribut shumë të madh në realizimin e punimeve dhe pastrimin e hapësirave të shkollës kanë ofruar prindërit mësimdhënësit dhe nxënësit.
Në pjesën tjetër të projektit në të gjitha klasat do të instalohen këndet miqësore për nxënës ku përfshihen orendi dhe material didaktike (Qilima, dyshekë ulëse të mbushura, rafte, libra, etj).
Ndryshe, projekti ka për qëllim promovimin e klasave gjithëpërfshirëse dhe miqësore për fëmijët e klasave (1-5)./Llapi.info