Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, ka thënë se asnjëherë nuk pritet nga shteti i Serbisë që të sillet në mënyrë të civilizuar ndaj shtetit të Kosovës, ndaj dhe duhet shfaqur vëmendje në rekomandimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Çollaku derisa ka komentuar çështjen e bllokadës së krijuar në dialogun Kosovë-Serbi, në Zona e Debatit ka deklaruar se tre institucionet e vendit për të cilat ka arritur letra nga Administrata Amerikane, duhet reflektuar sa më shpejtë.

”Jemi këtu ku jemi, e duhet të mendojmë që të mos komplikojmë situatën për tu mos thelluar edhe më shumë”.

”Ne asnjëherë s’kemi pritur që Serbia të sillet në mënyrë të civilizuar, në mënyrë europiane”.

”Taksa ka qenë e arsyeshme, dhe ka arritur një efekt pozitiv por si e tillë ka qenë e papranueshme mënyra si është vendosur dhe koha kur është vendosur nga komuniteti ndërkombëtar”.

”Dhe çka është më e keqja Serbia po e përdor si pretekst, për ta sulmuar Kosovën në arenën ndërkombëtare konkretisht nga miqtë e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë”.

”Letra nga SHBA-të e cila s’do të doja të arrinte kurrë, si tërheqje e vërejtjes pas dështimeve të kërkesave, duhet të trajtohet seriozisht nga të tri institucionet dhe përgjegjësit vendimmarrësit duhet të marrin vendim të menjëhershëm”.

”Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet të rrezikoj që të edhe më tutje të mbahet si përgjegjëse nga ikja e tavolinës së dialogut”.

”Secila palë e cila ikë njëanshëm nga tavolina e dialogut do të gabojë shumë. SHBA-të janë të pazëvendësueshëm krahasuar me çdo aleatë tjetër”.

Ndërsa ka komentuar deklaratat e analistit Nexhmedin Spahiu se nga Qeveria e Kosovës është pohuar se për taksën SHBA-të kanë dhënë përkrahje të fshehtë, këshilltari Bekim Çollaku në Zona e Debatit tha se Administrata Amerikane nuk bënë lojë të dyfishtë, njofton Klan Kosova.

”Kjo është joserioze sepse asnjëherë Administrata Amerikane nuk vepron si e tillë me politikë të fshehtë”.

”Administrata Amerikane flet me një zë të vetëm dhe nuk ka asnjë dilemë. Të vetmin informacion që mund ta ketë Kryeministri apo Presidenti është ajo që e kam edhe unë”.

”Një gjë e tillë nuk ekziston, Administrata Amerikane nuk bënë lojë të dyfishtë dhe nuk del përtej asaj që e kërkon apo e thotë”.