Është pezulluar greva e paralajmëruar nga pronarët e autobusëve të linjës Podujevë-Prishtinë dhe anasjelltas, për shkak të taksive ilegalë, raporton Llapi.info

Pronarët e 25 kompanive të transportuesve në këtë relacion, kishin paralajmëruar grevë, duke kërkuar nga Inspektorati dhe Policia për largimin e taksive ilegale, pasi që sipas tyre, janë duke punuar me humbje. Por, kjo grevë është pezulluar me arsyetimin se ka nisur të punohet në këtë drejtim.

Këtë për Llapi.info e ka konfirmuar edhe Beqir Mustafa, kryetari i shoqatës së këtyre kompanive. Thotë se Inspektorati po merr aksione për largimin e tyre, por që sipas tij, nuk po kanë mbështetje sa duhet nga Policia.

“Po, në lidhje me grevën e paralajmëruar, e kemi pezulluar. Kjo është pezulluar për një muaj se kanë marrë aksione Inspeksioni me punu për largimin e tyre, si nga ata të ministrisë në Prishtinë, por edhe ata komunalë. Nuk janë larguar të gjithë, por janë duke punuar në këtë drejtim. Na kanë përkrahë, por jo edhe Policia sa duhet, të tjerët mirë janë duke punuar”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, Llapi.info mëson se gjatë javëve të kaluara, Policia në Podujevë ka ndërmarrë aksione të ndryshme për largimin e taksive ilegale.

Se a është shqiptuar ndonjë gjobë në këtë drejtim dhe a do të ketë masa edhe më tej kundër taksive ilegale, Llapi.info ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarët policorë në Podujevë, por pa sukses.

Kujtojmë, edhe vitin e kaluar pronarët e autobusëve në Podujevë kanë mbajtur grevë dy-ditore në relacionin Prishtinë-Podujevë dhe anasjelltas./Llapi.info