Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës në rastin e ish-kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 të tjerëve, të akuzuar për krim të organizuar, lidhur me keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas njoftimit nga Apeli, është ndryshuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 30.11.2018, në mënyrë që kërkesat e mbrojtësve për hudhje të aktakuzës janë refuzuar. Tani në këtë çështje juridiko-penale, vazhdohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Q.M., H.D., V.G.,Q.S.,I.R.,M.N.,M.K., H.M., F.H.,D.B.,A.H., R.M., S.Sh., G.K., Sh.Q.,M..C.-Sh, I.F., B.M., H.I., F.O., H.A., S.Xh., Q.L., E.B., A.M.,N.S., Z.F., A.M. dhe N.J., akuzohen për krim të organizuar, lidhur më veprën penale të shpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa B.K., A.P., Rr.H., F.Z., S.I., N.M., M.A., B.G., A.A., dhe A.S akuzohen për veprën penale krim i organizuar lidhur më veprën penale keqpërdorim i autorizimit në ekonomi.

“Gjykata e Apelit konstaton se në bazë të shkresave të lëndës, në rastin konkret ka prova të mjaftueshme nga të cilat rezulton dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer veprën penale në fjalë. Andaj gjykata e shkalles së parë obligohet të vazhdoj më tutje më procedim penal, të administroj provat, e pastaj ta marr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, PSRK-ja me 16 shtator 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Qemail Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qfsere Sadriu, IIjaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Nazim Jashari, Basri Kqiku , Avdi Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.