Këshilltari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Fitim Haziri, ka reaguar në lidhje me raportimin e bërë sot nga Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës (KKSB), njofton Llapi.info

Sipas tij, pas rasteve të ndodhura në vetëm këtë vit, siç thotë Haziri, nuk mund të quhet gjendja e sigurisë e qetë dhe stabile, ashtu si është quajtur sot në këtë mbledhje të KKSB-së, të udhëhequr nga i pari i Komunës, Agim Veliu.

“Se a është gjendja e sigurisë e qetë dhe stabile në Llap e vlerësojnë atë të cilët janë dëshmitarë të aksidenteve, grabitjeve dhe rrahjeve të përditshme që po ndodhin në vendin tonë, ndërsa për të parin e Komunës së Podujevës Agim Veliu i cili është kryesues në KKSB-s është cilësuar si OK , kjo “OK” për mua ka kuptim pozhorativ. Vetëm në fillim të këtij viti, Komuna e Podujevës u shoqërua me aksidente me fatalitet, me grabitje të armatosura, me rrahje dhe therje të nxënësve afër shkollave dhe me kanosje të ndryshme”, ka shkruar ai në Facebook.

Haziri më tej ka përmendur edhe rastin e një fermeri nga fshati Dumosh, që sipas tij iu vodhën bagëtitë.

“Rasti i fundit ishte në fshatin Dumosh, ku një familjeje të varfër iu vodhën të dy lopë që e që me to edhe mbijetonin gjashtë anëtarë. Kjo tregon për sigurinë që gëzojnë banorët e Podujevës ku as lopët s’janë të sigurta te pronarët e tyre e lëri më njerëzit. Është e udhës që gjërat të raportohen ashtu siç janë, dhe ju si KKSB të planifikoni aktivitete se si mund ta përmirësoni sigurinë e qytetarëve të Podujevës”, ka shkruar tutje ai./Llapi.info