Java e parafundit e muajit shkurt nuk ka përfunduar pa raste e incidente të ndryshme në Komunën e Podujevës. Brenda javës që tashmë lamë pas janë arrestuar disa persona për vepra të ndryshme penale, raporton Llapi.info
Kësisoj, të hënën e 18 shkurtit në fshatin Peran është arrestuar një person i kërkuar. Sipas PK-së, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – dega Podujevë. Pa dhënë detaje tjera, Policia ka bërë të ditur se i njëjti është dërguar në burgun e Dubravës.
Të martën një mjet i pashpërthyer është gjetur në fshatin Obrançë nga një zyrtar policor. Pas lajmërimit njësitet e nevojshme policore kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes. Ndërkaq, njësia e FSK-së dhe KFOR-it ka tërhequr mjetin në mënyrë të sigurt.
Të enjten disa persona janë përfshirë në një rrahje në rrugën “Xhemajl Mustafa”, ku edhe janë arrestuar dy persona pasi kishin sulmuar një tjetër. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Policia ka njoftuar se po në këtë ditë, një person i kërkuar është arrestuar në fshatin Gllamnik. Arrestimi i itj është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata, dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.
Në raportin e së shtunës, Policia e Kosovës ka njoftuar se në Podujevë janë arrestuar dy të dyshuar (meshkuj), pasi siç ka njoftuar policia, kishin keqpërdorur seksualisht dy të mitura.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë (njëri nga ta i mitur) pasi të njëjtit kishin keqpërdorur seksualisht dy viktimat femra K/Shqiptare (të mitura). Me urdhër të prokurorit viktimat janë dërguar në ekzaminim mjekësorë kurse dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, ka njoftuar PK
Të premten mbrëma një person është goditur nga një kamion në fshatin Lluzhan. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Ndërsa, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Të premten në rrugën “Xhemajl Mustafa” është arrestuar në person i kërkuar. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Pa dhënë detaje tjera, Policia ka thënë se i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës.
Kurse, të shtunën, katër persona janë arrestuar në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, nën dyshimin se kanë sulmuar dhe penguar zyrtarët policorë derisa ishin në detyrë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
“Rr. Zahir Pajaziti, Podujevë 23.02.2019-16:39. Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj K/Shqiptar, pasi që të njëjtit kanë kanosur –sulmuar dhe penguar zyrtarët policor derisa kishin qenë në kryerje të detyrës zyrtare. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur PK.
Ndërsa, të dielën në mesditë në dy fshatra të Podujevës janë gjetur dy mjete që dyshohet të jenë shpërthyese.
Njëri mjet është gjetur në afërsi të pyllit të një fshati si dhe tjetri është gjetur në fushë të hapur.
Njësitë relevante kanë dalë në vendet e ngjarjes dhe kanë arrit me sukses t’i deaktivizojnë të dy mjetet e dyshuara. Sipas PK-së, nuk raportohet për ndonjë incident.
Në po këtë ditë, një person në Podujevë ka raportuar Policinë, se disa persona të panjohur kanë hedhur një shishe me benzinë në murin e gjallë të oborrit të tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia dhe zjarrfikësit, të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante./Llapi.info