Qëndresa Haliti nga fshati Kërpimeh i Podujevës, tash e disa ditë po qëndron e shtrirë në spital, pas plagëve të marra nga një granatë dore, të cilën e kishte gjetur në një shtëpi të pabanuar të një serbi.
Për fat të keq, Qëndresa e kishte marrë granatën në shtëpi për t’i treguar prindit, por me të hyrë në oborr ajo i kishte shpërthyer në duar.
Qëndresa po trajtohet në QKUK, derisa prindi i saj Ramadan Haliti, thotë se ajo nuk e ka ditur se çka po mbante në duar.
“Vajza ka ardhur me atë mjet shpërthyes, këtu në derë e ka çuar dorën me tregu edhe s’ka arritur me fol, e ka ulë dorën poshtë ajo ka shpërthyer, vajza ka rënë këtu”, ka thënë Haliti për RTK, transmeton Llapi.info.
Por, nga ky shpërthim nuk ka pësuar vetëm Qëndresa.
Zona të shumta në Kosovë, që prej luftës vazhdojnë të jenë të minuara, e deri më sot nga këto mjete shpërthyese të mbetura kanë humbur jetën 117 persona, kurse 453 janë lënduar.
Drejtori i Qendrës Koordinuese të Çminimit, Ahmet Sallova, thotë se deri në fund të vitit 2024 i gjithë territori i Kosovës parashihet të deminohet.
“Menjëherë pas luftës ne i kemi pasur mbi 4 mijë e 500 zona të afektuara prej minave dhe mjeteve eksplozive. Falë punës së palodhshme të TMK-së, FSK-së dhe organizatave të tjera, ky numër është reduktuar në 44 zona të minuara dhe në 48 zona tjera të bombarduara nga NATO…”, ka thënë ai./Llapi.info