Rrejti i OJQ-ve, ‘Demokracia Fillon Këtu’, sot ka mbajtur tryezën “Ngritja e pjesëmarrjes qytetare në procese vendimmarrëse,veçanërisht në dëgjimet publike” në Podujevë. Në këtë tryezë ku ishin përfaqësues nga Komuna e Podujevës, këshilltarë të partive në asamblenë komunale, Drejtori i Institutit (KLGI), Besnik Muqaj, Krye-imami, Bekim Jashari si dhe përfaqësues të tjerë, u tha se interesimi i qytetarëve në debate publike nuk është i kënaqshëm, njofton Llapi.info

Në një fjalim hyrës, Drejtori i OJQ-ve ‘Demokracia Fillon Këtu’, Shemsi Jashari, ka thënë se ka filluar monitorimi i punës në asamblenë komunale. Sipas tij, nga ky monitorim do të paraqitet gjendja reale në nivel komunal. Ai ka kërkuar që të ketë debate publike me qytetarë.

“Ne kemi filluar me një projekti i cili ka të bëjë me transparencën në nivel komunal. Ky projekt është përkrahur nga Bashkimi Evropian, financohet nga zyra e BE-së. Ka filluar monitorimi i asamblesë komunale, prej janari e deri në qershor jemi pjesë e implementimit. Puna e jonë do të fokusohet me monitorimin e gjendjes reale ku ekziston niveli komunal, si në fushën e ekzekutivit, por edhe asaj të asamblesë”, ka thënë ndër tjerash ai.

Ndërsa, Drejtori Ekzekutiv i Institutit (KLGI), Besnik Muqaj, ka përmendur disa nivele të performancës së transparencës, ku Komuna e Podujevës qëndron.

“Podujeva qëndron 65.77 për qind në nivel të performancës. Shërbimet Administrative Podujeva qëndron 99.16 për qind. Në fushën Kulturës, Rinisë dhe Sportit 84.91 për qind. Në mjedisin lokal 79.50 për qind… Ndërsa, ka mangësi në rrugë dhe trotuare 59.25 për qind, te transparenca komunale mbetet thuajse në gjysmë. Te Planifikimi Urban 43.89 për qind, Mirëqenia Sociale mbetet mangësi e madhe në të gjitha Komunat…”, ka thënë ai.

Më tej, Muqaj ka përmendur edhe pjesëmarrjen e qytetarëve në debate publike, ku sipas tij, është e ulët e sidomos pjesëmarrja e grave dhe vajzave.

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në këtë Komunë, Faik Muçiqi, ka thënë se pjesëmarrja e qytetarëve në debate publike nuk është e kënaqshme.

“Komuna i mban të gjitha debatet publike me qytetarë, mirëpo pjesëmarrja e tyre nuk është e kënaqshme. Nëse përmendim një rast kur ka të bëjë me subvencionime mbushet salla, ndërsa në debate tjera nuk ka shumë qytetarë”, ka thënë ai.

Këshilltari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, ka kritikuar të parin e Podujevës, Agim Veliu, pasi që sipas tij, ka marrë pjesë në vetëm në dy seanca të Kuvendit Komunal, e që sipas tij, ndikon në pjesëmarrjen e qytetarëve në debate tjera publike.

Ndërsa, Rafet Llapashtica nga PDK, duke përmendur nivelin pjesëmarrjen e qytetarëve ne debate publike, ka lavdëruar edhe punën e rrjeteve të organizatave jo-qeveritare.

Se që interesimi në këto debate është i vogël, e ka thënë edhe shefi i Zyrës për Informim, Nazmi Elezi./Llapi.info