Lëvizja Vetëvendosje, dega në Podujevë, ka hedhur një varg akuzash ndaj qeverisjes komunale të Podujevës, për ndërtimet kolektive që po bëhen në qendër të Komunës, njofton Llapi.info
Sekretari organizativ në këtë qendër, Bahri Selimi, ka thënë se këto ndërtime janë duke u bërë në kundërshtim me planin urbanistik të Komunës.
Përmes një konference për media të mbajtur gjatë ditës së djeshme, Selimi ka thënë se përgjegjës për lejimin dhe aprovimin janë vetë autoritetet komunale, duke shtuar se kështu po bëhet degradimi i qytetit. Selimi ka përmendur edhe dy objekte të cilat sipas tij, kanë bërë tejkalimet të ndërtimit në krahasim me katet e lejuar.
Duke folur për gjendjen që sipas Selimit po e degradojnë qytetin, ka thënë se ndërtimet që po bëhen në Podujevë nuk posedojnë plan urbanistik dhe të njëjtat, sipas tij, janë pa asnjë kriter që kërkohet. E, në një përgjigje për këtë parti, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në Podujevë, Hamdi Jaha, ka theksuar se ndërtimi i lejuar sipas planit urbanistik, është deri në shtatë kate. Por, sipas VV-së, këto janë tejkaluar.
“Komuna e Podujevës që nga paslufta po
zhvillohet në një kaos të vërtetë urban, madje Komuna e Podujevës nuk e posedon
planin hapësinor komunal, e si rezultat i kësaj të gjitha ndërtimet janë
kaotike dhe pa asnjë kriter që kërkohet. Bazuar në përgjigjet nga
Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, del që në Komunën
tonë kemi shkelje flagrante të të gjitha pikave të cilat i parasheh plani
urbanistik. Kjo dëshmohet me dy ndërtime kolektive në qendrën e qytetit. Njëra
e cila është ndërtuar afër parkut të qytetit nga kompania “Beni Dona” dhe
tjetra në afërsi të spitalit e ndërtuar nga kompania “Te Memi””, është shprehur fillimisht ai
Sipas tij, nga kjo tek të këto objekte ka tejkalim të kateve se sa që është e lejuar në qendër të Podujevës.
“Në ndërtimin nga “Beni Dona”, siç shihet edhe nga fotoja objekti është P+10 ndërsa në bazë të planit urbanistik siç është dhënë edhe përgjigjja nga Drejtoria e Urbanizmit lejohet ndërtimi P+7, që do të thotë se ka tejkalim të etazhitetit për tre kate, ndërsa sa i takon shfrytëzimit të parcelës me plan urbanistik lejohet 45 për qind. Në këtë rast shfrytëzimi i parcelës është afër 100 për qind nga buzë parkut deri te trotuari”, ka thënë ai.
“Në ndërtimin afër spitalit nga kompania “Te Memi”. siç shihet nga fotoja, objekti është P+9 ndërsa koeficienti ne bazë të planit urbanistik është P+7, që nënkupton se ka tejkalim prej dy kateve dhe indeksi i shfrytëzimit të parcelës është edhe këtu pothuajse 100 për qind. Këto janë shkelje në të gjitha elementet e rëndësishme të planit urbanistik. Shkelje të cilat ndodhin para syve të kryetarit të Komunës dhe shkelje të cilat ia kanë zënë edhe diellin objektit të Komunës, objekt ky ku e ka edhe zyrën kryetari”, është shprehur Selimi.
“Në këto raste, në mënyrë të drejtpërdrejt lind dyshimi dhe shtrohet pyetja se sa prej këtyre kateve mund të jenë pronë e kryetarit, apo çfarë në të vërtetë ka përfituar kryetari në këtë rast dhe në mënyrë krejt të paligjshme”, ka theksuar Selimi.
Sekretari organizativ i kësaj partie, ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të filloj menjëherë hetimet, duke kërkuar edhe dënimet për përgjegjësit, pasi që sipas tij, vetëm kështu mbrohet degradimi i qytetit.
Pas gjithë këtyre, për Llapi.info drejtori i Inspektoratit, Durim Salihu, ka thënë se nëse vërtetë ka tejkalim të kateve se sa që është e lejuar, do të veprohet konform ligjit./Llapi.info