Ka pothuajse 17 vite qe është shpërngulur nga ky vend. Por, asnjë here për ta harruar.
Ragip Fetahu, vjen çdo fundjavë në vendin e lindjes së tij, Terrnavicen, për të cilën malli për të i shtohet çdo ditë e më shumë.
Edhe pse ishte fëmijë kur e lëshoi këtë fshat, për të mbetët kujtimi më i mirë.
“Në shkollën ku jemi kanë mësuar edhe nxënës të fshatrave tjerë, por shkolla ka dy vite që është mbyllur pasi banorët kanë emigruar nga fshati në qytet. Këtë vend e vizitojë së paku një herë një javë sepse më kujton kohërat e bukura që ishin në këtë fshat”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ragip Fetahu.
Për të shkuar në Terrnavicë, i cili është buzë kufirit me Serbinë, duhet të kalosh përmes një gryke, e cila e bën të veçantë këtë vend.
Ndërsa, ata që i japin jetë këtij fshati janë vetëm lumenjtë, me të cilët është i rrethuar ky fshat në të dy anët.
Nga 25 familje sa ishin dikur, sot kanë mbet vetëm dy.
Halit Mehanja është njëri ndër banorët e mbetur. Ai ka thënë se pavarësisht që dikur ishte një jetesë shumë e mirë, sot nuk është mbet vend për të jetuar.
“Për çdo vit ka rënë numri i banorëve të këtij fshati, derisa tashmë kemi mbetur këtu vetëm dy familje. Këtu tashmë jetojmë vetëm unë dhe vëllai. Banorët u shpërngulën për shkak të rrugës, ka një largësi nga qendra komunale. Jetesa nuk ka qenë keq, si në gjithë fshatrat e Kosovës. Kush është marrë me blegtori, ka pasur ujë, kullosa dhe të gjitha kushtet tjera për jetë. Nuk besoj se ndonjë fshat i Llapit ka pasur kushte më të mira për blegtori se ky fshat”, shprehet banori Halit Mehanja.
Këtu dikur banorët jetonin kryesisht nga bujqësia e blegtoria. Madje edhe pemët ishin të shumta në këtë fshat.
Por, së shpejti, sipas Halit Menhanjës, ky vend do të braktiset tërësisht, duke lënë pas vetëm kujtimet.
“Kush ka punuar me blegtori ka jetuar mirë. tashmë është bërë më e vështirë për t’u jetuar në këtë vend. Largësia nga qendra e Podujevës është diku 28 kilometra”, rrëfen më tej Halit Mehanja.
Në këtë vend malor, me shtëpitë e zbrazura, këtij fshati i ka mbet vetëm peizazhi i bukur e ajri i freskët.
Ragip Fetahu ka thënë se edhe pse e ka braktisur, sa herë që vjen këtu e gjen dashurinë më të madhe.