Rreziku rritet me sasinë e cigareve që konsumohen brenda ditës me kohëzgjatjen në vite. Edhe duhanpirja pasive rrit shanset me 20-30 % për të zhvilluar kancer të mushkërive.
Sot duhanpirja konsiderohet si shkaku kryesor i kancerit të mushkërive, si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Sipas studimeve, 9 nga 10 persona me kancer të mushkërive janë duhanpirës. Është përllogaritur se rreziku që ka një duhanpirës për të shfaqur kancer të mushkërive është 10-30 herë më i madh se rreziku i joduhanpirësve. Rreziku rritet me sasinë e cigareve që konsumohen brenda ditës me kohëzgjatjen në vite. Nga ana tjetër, edhe duhanpirja pasive rrit shanset me 20-30 % për të zhvilluar kancer të mushkërive.
Si ndikon duhanpirja në shfaqjen e kancerit?
Më shumë se 40 lëndë kimike që shkaktojnë kancer ndodhen në tymin e cigareve. Duhani përmban substanca kancerogjene të cilat ndikojnë në materialin gjenetik të qelizave të ADN-së, material i cili është rregullator i funksionit të qelizave, dhe për pasojë shfaqet kanceri. Duhanpirja e dëmton sistemin imunitar dhe mekanizmat mbrojtës bien.
Pasi është shfaqur kanceri a ka vlerë të lihet duhani?
Studimet tregojnë se lënia e duhanit përmirëson reagimin e organizmit ndaj terapisë, si për kimioterapinë ashtu edhe për radioterapinë, si dhe redukton efektet anësore ndërkohë që plagët kirurgjike shërohen më lehtë. Gjithashtu, rreziku i rikthimit të kancerit dhe shfaqja e një forme kanceri tjetër në organizëm ulet.
Lënia e duhanit sigurisht është veprimi më i mirë që mund të bëhet për sa i përket parandalimit të kancerit. Nëse ju lini duhanin, në çdo lloj moshe, rreziku për shfaqjen e kancerit të mushkërive reduktohet vazhdimisht me kalimin e viteve. Dhjetë vjet pas lënies së duhanit, rreziku i prekjes nga kanceri i mushkërive përgjysmohet.
Shifrat
Shqiptarët shpenzojnë një pjesë të mirë të të ardhurave të tyre që përfundojnë jashtë kufijve të vendit, për të blerë duhan. Sipas një këqyrje që ka bërë revista ekonomike “Monitor” duhani zë vendin e dytë mes shportës së mallrave të importuara duke u renditur menjëherë pas karburanteve. Vetëm për zhdoganimin e tyre në një vit paguhen afro 19 miliardë lekë që përbëjnë rreth 13 për qind të totalit te të ardhurave që vijnë nga importet. Sot në Shqipëri për çdo paketë të shitur me pakicë 66% janë taksa, ndërkohë që në vendet e BE ajo shkon deri në 100%. Sipas të dhënave të OBSH, numri i duhanpirësve të duhanit në Shqipëri është 683.440, ku dominojnë konsumatorët burra.