Vetëvendosje ka organizuar aksion për shkrimin e parullave të ndryshme lidhur me situatën e grave në Kosovë.
Përmes një komunikate për media, VV thotë se situata e grave në vendin tonë dallon prej situatës të gjithsecilit grup shoqëror.
Ata kanë përmendur edhe numrin e madh të rasteve të viktimave të dhunës.
Ky është njoftimi i plotë i VV-së:
Situata e grave në vendin tonë, dallon prej situatës së gjithsecilit grup shoqëror dhe kjo për disa arsye. Së pari, ato nuk janë një shumë numerike lehtësisht e izolueshme, por përbëjnë gjysmën e popullsisë. Së dyti, roli i tyre në shoqërinë tonë është themelor dhe i pazëvendësueshëm. Dhe së treti, me gjithë rëndësinë që kanë për shoqërinë dhe jetën në këtë vend ato janë më të margjinalizuarat në rolet e tyre ekonomike e politike.
Sot kemi gra amvise që punojnë e mbajnë një familje prej më shumë se pesë anëtaresh, e që për këtë punën të shumëfishtë, nga shteti fillojnë të kompensohet tek në moshën 65 vjeçare me një shumë simbolike, kjo është e papranueshme.
Situata e grave është e dallueshme nga ajo e secilit grupi tjetër shoqëror edhe për një arsye që tek së fundi ka filluar të marrë më shumë vëmendje e që lidhet me dhunën që ushtrohet ndaj tyre. 1496 raste të viktimave të dhunës i kemi vetëm brenda një viti, e këtu sa e sa thirrje të tjera e raste të raportuara – thirrje të humbura që e lënë mbrapa atë shifër. Nga shteti dhe institucionet vendore përveç se nuk kemi ndonjë masë, kemi edhe përpjekje aktive për mbylljen e strehimoreve për gra, nën arsyetimin e disa faturave të energjisë apo ndonjë shërbimi tjetër.
Pra, një faturë të pambarimtë për to. Kjo është e palejueshme. Në këtë situatë ku secili ka një peshë të veten, aktivistët dhe aktivistet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! vendosën ta përcjellin një kumtim të vjetër, të shkruar nga njëra prej aktivisteve që e shtruan përvojën e parë të barazisë mes një transformimi shoqëror dhe politik – Roza Luksemburgu – që edhe tha “kush nuk lëvizë nuk ndien prangat.” Po nuk lëvizëm bashkarish, si burra ashtu edhe gra, drejt një situate ku ka më shumë barazi e drejtësi shoqërore, atëherë do ngecim për kohë të gjatë në këtë qetësi të prangave që nuk bëjnë zë – as për faturat që na ngarkohen, e as për borxhet që kemi.