Foto: Llapi.info

Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e rregullt, të mbajtur sot, ka miratuar kërkesën e kryetarit të Komunës për nismën e procedurës së bashkëpunimit komunal ndërkombëtar në formën e binjakëzimit të Podujevës me qytetin Velbert të Gjermanisë, njofton Llapi.info

Mirëpo, këtë kërkesë përpara këshilltarëve komunalë nuk e ka bërë i pari i Podujevës, Agim Veliu. Ftesën për ta miratuar e ka bërë nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari. Kjo, pasi që Veliu nuk është duke marrë pjesë në asnjë seancë të rregullt të Kuvendit.

“Ka vite që Podujeva ka Bashkëpunim me qytetin e Velbertit në Gjermani. Paralelisht janë filluar procedurat ne asamblenë në këtë qytetit të Gjermanisë, dhe tani po i fillojmë edhe këtu në Podujevë që ky bashkëpunim të ngritët në nivel binjakëzimi. Kërkojë nga Kuvendi t’i miratojë këto vendime, që ky bashkëpunim ndër-komunalë të binjakëzohet”, ka thënë Rudari.

Këtë kërkesë e kanë përkrahur të gjitha partitë parlamentare në Kuvendin Komunal. Shefi i GK të LDK-së, Avni Fetahu, duke përkrahur këtë, ka thënë se duhet të informohen për rrjedhjen e këtij bashkëpunimi.

“LDK e mbështet këtë nismë bashkëpunimi Velbert-Podujevë. Duke shpresuar se do t’i hapë mundësi që të sjellë të mira për të dyja qytetet. Vlen të theksohet se komunat që janë në bashkëpunimin ndër-komunalë mund të aplikojnë edhe për mbështetje financiare për projekte të rëndësishme, përfshirë edhe fondet e BE-së, e shpresoj se Podujeva do ta shfrytëzojë një gjë të tillë. Në këtë pikë do ta shtoja që llogaridhënia është pjesë e rëndësishme e çdo marrëveshje, pasi që Komunat që hynë në bashkëpunim të tilla, kanë për obligim t’i informojmë qytetarët, por edhe asamblenë për mënyrë, rrjedhjen dhe formën e bashkëpunimit që do ta zgjedhin”, ka thënë ai.

Edhe partia më e madhe opozitare në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka përkrahë këtë kërkesë. Për këtë pikë, këshilltari i këtij subjekti, Fitim Haziri ka kritikuar të parin e Podujevës, Agim Veliu për mungesë në seancë për ta paraqitur këtë kërkesë.

“Kryetari i Komunës e ka paraqitur një nismë për binjakëzimin e Komunës Velbert me Komunën e Podujevës, një nismë që s’e solli kryetari Veliu në Kuvend, i cili e ka harruar Kuvendin prej kur e nisi si kryetar. Këtë nismë Veliu e mori pa paraqitur qëllimin e nismës, çdo nismë duhet të ketë qëllimin siç e parasheh ligji për vetëqeverisja lokale. Ne si këshilltarë të Lëvizjes Vetëvendosje do ta përkrahim këtë nismë, pasi që besojmë se është në interes të qytetarëve, edhe pse kryetari nuk ka ditë se si me ia nis”, ka theksuar Haziri.

Në anën tjetër, në lidhje me këtë pikë të rendi të ditës, edhe grupi i këshilltarëve të PDK-së e ka përkrahur këtë kërkesë të binjakëzimit të komunave.

Ndërkaq, pas hedhjes në votim kjo kërkesë është miratuar unanimisht nga të gjithë këshilltarët komunalë të Podujevës./Llapi.info