Sindikata e Arsimit në Komunë ne Podujevës në mbledhjen e mbajtur sot, ka kundërshtuar kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës, njofton Llapi.info
Kjo sindikatë, në këtë mbledhje të mbajtur në shkollën “Shaban Shala”, i ka dhënë mbështetje të fuqishme Këshillit të Përgjithshëm të SBASHK-ut që orët e humbura gjatë grevës të mos zëvendësohen deri në aktgjykimin përfundimtar të gjykatës.
“Kryetarët e Shoqatave sindikale kanë deklaruar se mësimdhënësit e komunës së Podujevës nuk janë të gatshëm për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës”, është shprehur kryetari i kësaj Sindikate, Fadil Halimi.
Sipas tij, kompensimi i orëve të humbura bie ndesh me ligjin për greva.
“Kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës bie ndesh edhe me ligjin mbi grevat që në asnjë mënyrë nuk mund t`i detyrojë mësimdhënësit për faktin se ata gjatë kohës së grevës kanë qëndruar në vendet e tyre të punës. Nëse vazhdohet me vendime të tilla arbitrare dhe trysni ndaj mësimdhënësve ata do të vazhdojnë grevën e pezulluar në fund të muajit janar të këtij viti”, ka thënë ai.
Në ndërkohë, sipas vendimit të MASHT-it, ditët e humbura të mësimit në institucionet e arsimit parauniversitar do të zëvendësohen fillimisht me pesë ditë të marra nga pushimi pranveror në prill të këtij viti, pesë ditë të shtuna do të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019, dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i këtij vitit shkollor.
Këtë vendim e kanë kundërshtuar edhe SBASHK-u. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ditë më
parë ka shtuar se vendimi për kompensim të orëve të humbura i Ministrisë së
Arsimit është i njëanshëm dhe në kundërshtim me Ligjin për grevat dhe kontratën
kolektive të arsimit në Kosovë./Llapi.info