Zjarr i madh ka përfshirë zonat malore në fshatin Popovë, Llapashticë, Bradash, Dyz dhe në Orllan të Podujevës, njofton Llapi.info
Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Podujevës, Vezir Januzi.
Januzi duke folur për gjendjen alarmante, ka kërkuar edhe nga kabineti i kryeministrit që të intervenohet, pasi që sipas tij, rrethanat për shuarjen e zjarreve janë të vështira.
“Në Komunën e Podujevës që nga dje kemi paraqitje të rasteve të zjarreve me intensitet të lartë, konkretisht në fshatrat Popovë, Llapashticë, Bradash, Dyz dhe në disa pjesë të Orllanit. Gjendja nuk është e mirë as sot, ne kemi njoftuar të gjitha organet relevante. Kemi njoftuar zjarrfikësit, Policinë, Agjencionin Pyjor të Kosovës. Sot kam kontaktuar edhe me kabinetin e kryeministrit dhe kërkoj që të intervenohet dhe të dilet në ndihmë, pasi që rrethanat janë të vështira. Në këto vende ku kemi zjarre, janë kryesisht pjesë kodrinore-malore dhe nuk po ka qasje për fikjen e zjarreve. Kërkojmë që të intervenohet pasi që nga dje erërat në Komunën tonë janë të fuqishme dhe po shpërndajnë zjarrin edhe në pjesë tjera. Situata është alarmante dhe besoj që do të na dalin në ndihmë edhe institucionet tjera që t’i lokalizojmë ato zjarre”, ka thënë Januzi në një intervistë për RTK./Llapi.info