Java e dytë e muajit mars në Komunën e Podujevës u karakterizua me raste e incidente të ndryshme. Përgjatë javës që tashmë lamë pas, pati edhe aksidente fatale.

Llapi.info ka raportuar për të gjitha rastet e ndodhura në Podujevë gjatë javës së kaluar.

Në raportin e së martës të Policisë së Kosovës është bërë e ditur se në fshatin Bradash, një femër është arrestuar, nën dyshimin se e njëjta në rrjetin social “Instagram” ka hapur një llogari, ka publikuar foto duke bërë komente dhe shkrime banale në emër të viktimës femër. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, e dyshuara pas intervistimit me vendimin e prokurorit, është dërguar në qendrën e mbajtjes.

Gjatë ditës së marte një person i kërkuar nga Policia e Kosovës është arrestuar në fshatin Llapashticë. Arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata. Sipas PK-së, i njëjti për vuajtje të dënimit është dërguar në burgun e Smrekonicës.

Një i moshuar është goditur nga një kamion më 22 shkurt në fshatin Lluzhan. Viktima ka qenë i shtrirë në repartin e kujdesit intensiv në QKUK, por nuk ka arritur t’iu mbijetoj lëndimeve me ç’ rast edhe ka ndërruar jetë të mërkurën.

Në lidhje me rastin me datën 06.03.2019 viktima mashkull K/Shqiptar i cili për shkak të lëndimeve ka qenë i shtrirë në repartin e kujdesit intensiv në QKUK ka ndërruar jetë”, ka njoftuar PK.

Në po të njëjtën ditë, dy të mitur janë arrestuar në Lupç të Poshtëm të Podujevës, nën dyshimin se të njëjtit kanë postuar fotografi në rrjete sociale me një armë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, nga të dyshuarit është konfiskuar një revole “Ekol Voltran”, ndërsa me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës ka njoftuar se të premten një aksident trafiku ka ndodhur me fatalitet në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë. Sipas raportit të Policisë, në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete. Vdekjen e vozitësit e ka konstatuar mjeku kujdestar në Qendrën e Mjekësie Familjare Podujevë. Rasti është iniciuar dhe mbetet nën hetime. Ndërsa, siç mëson Llapi.info, tashmë i ndjeri N.V., ka pësuar sulm në zemër, ku me ç’ rast edhe është aksidentuar me një furgon të parkuar.

Policia ka njoftuar edhe për disa raste të zjarr-vënieve, ku sipas PK-së, janë djegur pisha e hektarë me pyje. Zjarr-vënie ka pasur në fshatrat, Reçicë, Popovë dhe Dumnicë.

Të shtunën një aksident trafiku ka ndodhur rreth orës 14:00 në fshatin Shtedim të Podujevës, ku për pasojë një këmbësor ka ndërruar jetë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, me vendim të prokurorit të dy vozitësit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.

“Fsh. Shtedim, Podujevë 09.03.2019 – 14:04. Raportohet për një aksident trafiku ne mes dy veturave dhe një këmbësori mashkull K-Shqiptar. Si pasoj e aksidentit këmbësori ka vdekur, ndërsa njëri nga vozitësi dhe një pasagjer meshkuj K-Shqiptar kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar në QKUK . Turpi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Me vendim të prokurorit të dy vozitësit , të dyshuar meshkuj K-Shqiptar janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia./Llapi.info