Debat i gjatë me akuza e kundërakuza është zhvilluar në Kuvendin e Komunës së Podujevës, në pikën kur po diskutohej informata e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për Klubin Futbollistik Llapi.

Në seancën e mbajtur, këshilltarët opozitarë kanë kërkuar se a ka Komuna e Podujevës aksione në këtë klub, por që nuk kanë marrë përgjigje nga ekzekutivi. Ndërsa, të njëjtit kanë akuzuar se klubi është shitur, siç e kanë quajtur ata, “për dy pare”, raporton Llapi.info

Lexo edhe: A u privatizua KF Llapi? Komunarët heshtin – opozita e Podujevës thotë se është ‘shitur për dy pare’

Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Donika Sfishta, duke folur për këtë informatë ka thënë se nuk ka kompetencë të plotë dhe përgjegjësi të drejtpërdrejt sa i përket mbikëqyrjes së funksionimit të këtij klubi.

Sipas saj, pas ndërkombëtarizimit, gjegjësisht pranimit në FIFA dhe UEFA, Federata e Futbollit të Kosovës [FFK], ka marrë rekomandime që të fillohet me riorganizimin e klubeve sportive të Kosovës sa i përket statutit, gjendjes së tyre juridike dhe çështjeve tjera relevante të parapara me rregullat dhe standardet e këtyre institucioneve ndërkombëtare.

Në të tri anët e stadiumit tribunat janë ndërtuar. E tani ka dyshime se janë bërë pa leje, madje ka edhe ankesa nga ana e qytetarëve përreth.

Blerim Maçastena nga Partia Socialdemokrate ka thënë se ky stadium nuk mund të licencohet nga UEFA, pasi që sipas tij, nuk dihet a ka leje ndërtimi.

 “Sa i përket anës sportive, jam i kënaqur me rezultatet e klubit Llapi. Ndërsa, sa i përket stadiumit të qytetit, dashta me pyet se a ka leje ndërtimi stadiumi? Ju i keni dhanë një pëlqim në vitin 2016 ose 17. Ai pëlqim parasheh një riorganizimit të fushës, me bari sintetik. Nëse ju nuk keni dhënë leje për ndërtim të tribunave, atëherë si mendoni se do licencohet ky stadium në UEFA”, ka thënë Maçastena.

Ndërsa, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Podujevës, Hamdi Jaha ka thënë se s’e di a ka leje ndërtimi stadiumi i qytetit.

“Nuk e di a ka leje ndërtimi se unë jam vetëm që një vit drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit”, ka thënë shkurt Jaha.

Në lidhje me këtë, nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari ka thënë se nuk e di se çfarë ka ndodhur me leje të ndërtimit, edhe pse sipas tij, ka pasur një pëlqim për ndërtim nga ana e Komunës.

“Të gjithë ndihemi krenarë për sukseset dhe për rezultatet e shënuara nga ky klub. Jam plotësisht dakord se stadiumi aktual i klubit Llapi nuk i plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtarë, dhe këtë s’kemi pse me fshehur. Por, deri të bëjmë një zgjidhje për ndërtimin e një stadiumi që i plotëson kriteret, në këtë stadium i zhvillon ndeshjet Llapi në nivel të kampionatit. E di që ka pasur një pëlqim për planin urbanistik  kur ka filluar MKRS me investuar në stadium. Nuk e di çfarë ka ndodhur me lejet e ndërtimit. Por, jemi dëshmitarë se stadiumi si ka qenë është përmirësuar dukshëm. Në fund ky stadium do të shërbejë për ndonjë klub për aktivitete të ndryshme sportive, por ne synojmë që klubi Llapi ta ketë një stadium konform kushteve të UEFA-s”, ka thënë Nexhmi Rudari.

Në anën tjetër, shqetësim të banorëve për lartësinë e tribunave e ka paraqitur shefi i grupit të këshilltarëve të VV-së, Fitim Haziri.

“Në lidhje me ndërtimet e tribunave, derisa është dhënë një pëlqim për ndërtimin e tyre. Është një shqetësim i banorëve përreth stadiumit se ndërtimi i tribunave iu ka ardhur deri në katin e tretë dhe shumë afër. Në këtë rast kemi se vetë institucioni ka bërë ndërtime pa leje”, është shprehur Haziri.

Kujtojmë, për ndërtimin e tribunave Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së bashku me Komunën e Podujevës kanë ndarë 700 mijë euro. Këtë e pati bërë të ditur Veliu në një postim në Facebook./Llapi.info