LDK-ja e cila qeverisë në Komunën e Podujevës ka dështuar të miratojë bartjen e më shumë se gjysmë milioni euro e të hyrave vetjake nga viti i kaluar në këtë Komunë. LDK nuk ka arritur t’i sigurojë votat e mjaftueshme, pasi që kundër ka dal këshilltari i kësaj partie, Agron Hyseni, njofton Llapi.info
Hyseni ka thënë se në projektet e planifikuara nuk është bërë një investim racional nëpër fshatra. Sipas tij, 70 për qind e fshatrave nuk janë të përfshira në këto investime.
“Bazuar në ndarjen e buxhetit në projektet nëpër fshatra dhe po ashtu në planifikim për bartjen e mjeteve, mendojmë se është bërë jo në mënyrë racionale, kur 70 për qind e fshatrave nuk janë përfshirë. Me këtë ndarje që është bërë, konstatojë se nuk i kontribuon zhvillimit dhe të përmirësimit të kushteve për qytetarë të cilët jetojnë aty. Prandaj, shpreh rezervat e mia në lidhje me këtë planifikim dhe kundërshtoj këtë ndarje të buxhetit, i cili edhe me matematikën më të thjeshtë do të ndahej më arsyeshëm”, ka thënë Hyseni.
Në lidhje me këtë, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, arsyetoi propozimin e vendimi për bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2018 në vitin 2019 dhe destinim në kategori të caktuara buxhetore.
“Të hyrat vetanake të pashpenzuara të Komunës së Podujevës, në vitin 2018 janë në një shumë prej 673, 963.00 euro dhe të njëjtat barten në projekte të financuara në vitin e kaluara e që janë bartur në vitin buxhetor 2019. Mjetet buxhetore të bartura janë planifikuar të destinohen në kategoritë buxhetore dhe programet e administratës komunale në vlerë prej 544,421.39 euro, shëndetësi, 60,000.00 euro dhe në arsim 69.541.61 euro”, ka thënë ai.
Përkrahje bartjes së mjeteve të hyrave vetanake nga viti 2018 në vitin 2019 dhe shpenzimin e në kategori të caktuara buxhetore, i ka dhënë këshilltarja e LDK-së, Fatlume Jaha në emër të pjesës tjetër të grupit.
Ndërsa, kritika për bartjen e të hyrave vjetore kanë dhënë këshilltarët e partive opozitare. Dy partitë më të mëdha të opozitës në Podujevë, PDK e VV kanë dhënë vërejtje në këtë pikë, pasi që sipas tyre, ka keq-menaxhim me buxhet.
Këshilltarja nga radhët e LVV, Lirika Maliqi, ka thënë se raportet e dërguara janë të padetajuara, e që sipas saj, Vetëvendosje do të jetë kundër gjithmonë aty ku ka dokumente jotransparente.
“VV vazhdimisht ka shprehur shqetësimin në lidhje me keq-menaxhimin e buxhetit në realizimin e projekteve në interes të qytetarëve. Në çdo raport ne po përballemi me suficit, ku vetëm nga të hyrat vetanake kanë mbetur 673, 963.00 euro, kurse suficiti buxhetor për vitin 2018 sillet rreth 2 milionë euro. Para të cilat janë paraparë për projekte të ndryshme kanë mbetur të pashfrytëzuara. Po bëhet një vit dhe në çdo raport dhe dokument që dërgoni nuk janë dhënë detaje për këto mjete. Andaj, Vetëvendosje nuk e voton”, është shprehur Maliqi, teksa kritika në lidhje me këtë ka dhënë edhe këshilltarja e këtij subjekti politik, Adelina Stublla.
Në anën tjetër, shefi i GK të PDK-së, Rafet Llapashtica duke mos e përkrahur këto bartje të mjeteve, ka dhënë kritika për projektet të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike.
Sqarime për destinimin e të hyrave vetanake në kategori të caktuara buxhetore kanë dhënë Hamdi Jaha – dejtor i Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit dhe Faik Muçiqi- drejtor i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim.
Pas diskutimeve, kjo pikë e rendit të ditës nuk u miratua në Kuvend, pasi 17 këshilltarë ishin kundër./Llapi.info