Me një manifestim madhështor, Lidhja Demokratike e Kosovës në Podujevë ka shënuar 29 vjetorin e themelimit, në të cilin pos kryetarit të degës dhe nënkryetarit në nivel qendror, Agim Veliu, morën pjesë edhe përfaqësues të partisë në nivel lokal dhe atë qendror si dhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu, raporton Llapi.info
Kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, ka deklaruar se këtë meritë të sukseseve të partisë ia atribuon themeluesve të saj.
“Sot shënojmë 29 vjetorin e LDK-së në Podujevë, partisë së parë demokratike, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Evropën Juglindore. Kur u themelua LDK në Podujevë, këtu e tri dekada më parë gjithçka që ishte ndërtuar më parë ishte shkatërruar në një moment. Një grup intelektualësh, grup profesorësh, shkencëtarësh e studentësh të prirë nga një kritik letrar siç ishte doktor Ibrahim Rugova, për të krijuar një parti politike e cila do të mbronte interesat nacionale politike të shqiptarëve të Kosovës. Lidhja Demokratike u krijua nga pjesa më e ditur, më e ngritur dhe më e moralshme e shoqërisë kosovare dhe populli i besoi lidershipit të LDK-së”, tha Veliu, raporton Llapi.info
I pari i Podujevës ka potencuar se edhe pse Kosova gjendet në liri e pavarësi, gjendja siç thotë Veliu, nuk është e mirë në vend.
“Sot kur po shënojmë 29 vjetorin e themelimit, ndonëse në liri dhe pavarësi, nuk mund të themi se gjendja është e mirë, madje është përkeqësuar. Kosova gjendet një izolim ndërkombëtarë, kufijtë e saj diskutohen nëpër tryeza të hapura dhe të mbyllura. Korrupsioni dhe nepotizmi dy prej sëmundjeve më të rënda të një administrate shtetërore, kanë arritur në nivele të papara. Ndërkohë edhe arsimi po vazhdon të përballet me probleme e reforma në administratë nuk po ndodh. Ka humbur besimi në koalicionin që po udhëheq shtetin, ne LDK nuk guxojmë të rrimë duarkryq. Tani është koha për veprim, kur dëshpërimi ka prekur të gjithë është koha për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.
Veliu në fjalim përpara shumë të pranishmëve ka shtuar se LDK do ta tregojë fuqinë e vet edhe në nivel vendi.
“Kosova është tepër e çmuar për ta lënë në dorë të injorantëve, uzurpatorëve e spekulantëve politikë. Ashtu siç është e fuqishme dhe e pamposhtur në Podujevë, LDK do të dëshmojë fuqinë e saj edhe në nivel nacional. Është koha që vendi të udhëhiqet nga LDK që ka traditën”, ka përfunduar ai.
Në këtë manifestim një fjalim rasti ka mbajtur edhe sekretari qendror i LDK-së, Ismet Beqiri./Llapi.info