Lidhja Demokratike e Kosovës në Podujevë ka shënuar 29 vjetorin e themelimit, në të cilin pos kryetarit të degës dhe nënkryetarit në nivel qendror, Agim Veliu, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të partisë në nivel lokal dhe atë qendror si dhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu, raporton Llapi.info
Me këtë rast, kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, ka folur edhe për punësimet partiake që sipas tij, po bëhen nga administrata aktuale e Kosovës.
“Sot kur po shënojmë 29 vjetorin e themelimit, ndonëse në liri dhe pavarësi, nuk mund të themi se gjendja është e mirë, madje është përkeqësuar. Kosova gjendet një izolim ndërkombëtarë, kufijtë e saj diskutohen nëpër tryeza të hapura dhe të mbyllura. Korrupsioni dhe nepotizmi dy prej sëmundjeve më të rënda të një administrate shtetërore, kanë arritur në nivele të papara”, është shprehur Veliu, raporton Llapi.info
Sipas tij, tani është koha për veprim, pasi që dëshpërimi siç thotë i pari i Podujevës, ka prekur fundin. Thotë se LDK është e vetmja parti e cila e ngritë Kosovën në një vend normal.
“LDK është forca e vetme që mund ta ngritë Kosovën në një shtet normal ekonomikisht të zhvilluar, me shëndetësi e arsim cilësor. Ta bëjmë Kosovën vend normal, kur nuk duhet ta kesh kryeministrin dajë për të gjetur një vend pune në administratë shtetërore a ndërmarrje publike. Kosova ka nevojë për përtërije jo vetëm figurave politike, por edhe konceptesh politike”, ka thënë ai.
Veliu në fjalim përpara shumë të pranishmëve ka shtuar se LDK do ta tregojë fuqinë e vetë edhe në nivel vendi.
Përderisa, Veliu thotë se nuk duhet të kesh dajë kryeministrin për të gjetur vend pune në sektorin publik, ai si duket ka harruar se ka dy persona të familjes të punësuar në poste publike më kohën sa qeveriste LDK.
Bëhet fjalë për nusen e djalit dhe djalin e tij, të cilët kanë dy pozita mjaft të mira në sektorin publik.
Shkumbin Veliu, djali i Agimit ishte ‘rehatuar’ në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përkatësisht në pozitën e zyrtarit të lartë në Divizionin për Hartimin dhe Harmonizimin e Legjislacionit.
Ai në këtë pozitë u sistemua kur LDK-ja e udhëheqte shtetin, përkatësisht në kohën kur Isa Mustafa drejtonte Qeverinë dhe LDK-ja këtë ministri.
Pos djalit, Agim Veliu kishte arritur të punësoj edhe nusen e djalit, Metije Jashari, e cila mban mbiemrin e vajzërisë./Llapi.info