Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se gara për të parin e kësaj partie duhet të bëhet në mënyrë të dinjitetshme dhe jo të ketë luftë të paskrupullt brenda saj, njofton Llapi.info
Ai, me rastin e 29 vjetorit të LDK-së në Podujevë tha se gara brenda partisë së tij duhet të jetë serioze, e jo të ketë luftë brendapërbrenda saj.
“Sa herë mbahen zgjedhjet në LDK është sikurse të mbahen zgjedhje nacionale. Nuk duhet të ketë luftë në garën brenda nesh, jo luftë e paskrupullt brenda nesh, por garë që LDK-në e ka mbajtur si subjektin më të madh e më serioz. Jam i bindur që kjo ditë vije në shprehje”, tha Beqiri.
Përveç kësaj, Beqiri nuk ka lënë pa përmendur edhe dialogun me Serbinë dhe çështjen e korrigjimit të kufijve. Tha se si parti nuk do ta mbështesin asnjë ide të korrigjimit të kufijve me Serbinë.
“Ne nuk do të përkrahim kurrfarë korrigjimi të lehtë e as të rëndë të kufirit me këto sjellje të presidentit antikushtetuese e anti ligjore. ne e kemi Kosovën e 17 shkurtit 2008” tha ai.
Ai doli kundër edhe Ekipit Negociator ku tha se vendi ynë nuk ka nevojë për ekipe të tilla. Sekretari Beqiri ka theksuar se qëndrimi në Podujevë ka ndjenjë të dyfishtë.
“Me qenë në Llap është nder i dyfishtë. 1. Është bastion i LDK-së. 2. Je në regjionin kur presidenti Rugova kishte bashkëpunëtorët më të ngushtë, të afërt e besnikë, duke filluar nga Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Fatmir Sejdiu, Agim Veliu, Sabri Hamiti e shumë e shumë të tjerë”, ka thënë ai./Llapi.info