Dy ditë kanë mjaftuar për t’u larguar të gjitha kioskat në dy rrugë të Podujevës, gjegjësisht “Zahir Pajaziti” dhe “19 Qershori”, raporton Llapi.info
Heqja e tyre përreth objektit që ishte i dedikuar për shtëpi të kulturës e për të cilin e kishte humbur kontekstin gjyqësor, është bërë me vendimin e lëshuar nga Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Podujevës, të mbikëqyrur edhe nga Policia e Kosovës.
Në vendimin e lëshuar në dhjetor të vitit të kaluar, është thënë se e gjithë kjo bëhet për realizimin e projekteve të parapara nga ekzekutivi.
“Mbetemi të përkushtuar që të mbrojmë dhe të stimulojmë zhvillimin e të gjitha bizneseve në komunën tonë, por mbi të gjitha jemi të interesuar që të mbrojmë interesin publik të qytetarëve tanë me realizimin e të gjitha projekteve të parapara”, thuhej në njoftimin e Inspektoratit.
E largimi i tyre në rrugët më të frekuentuara në qytetin e Podujevës, pronarët kanë thënë se do t’i lërë keq, pasi siç thonë ata, nga ato kioska edhe kanë siguruar mbijetesën. Nga kjo, disa prej tyre në pamundësi të paguajnë qiranë edhe kanë vendosur mallin ta bartin në shtëpi.
Por, tashmë hapësira e zënë nga të njëjta ‘lokale’ është liruar. Të gjitha janë larguar, pas vendimit të Inspektoratit për realizimin e projekteve të parapara.
Mirëpo, pas këtij vendimi edhe kanë reaguar këshilltarët opozitarë në asamblenë e Kuvendit të Komunës së Podujevës. Këshilltarët e VV-së dhe PDK-së për Llapi.info patën thënë se Komuna do të duhet t’ua bënte një vend që të njëjtat kioska të vendosen në një lokacion.
“Ky vendim është shqetësues për ne dhe qytetarët pasi atyre punëtorëve ne mendojmë se së pari duhet t’iu sigurohet vendi se ku duhet kryer veprimtarinë e tyre, e tani të rrënohen”, pati thënë Adelina Stublla nga VV.
Ndërsa, shefi i subjektit politik të PDK-së në Kuvendin Komunal të Podujevës, Rafet Llapashtica, thotë se prona ku janë aktualisht kioskat nuk është e definuar si pronë e Komunës.
“Të njëjtave të ju ofrohet ndonjë hapësirë diku. Me sa e di kjo pronë edhe nuk është e definuar si pronë e Komunës së Podujevës. Dhe, ashtu qeverisja lokale e Podujevës e udhëhequr nga LDK-ja, pothuajse me veprimet e saja nga kjo Komunë, veç i ka përndjekur të gjitha bizneset e mëdha dhe tani i kanë mbetur edhe të këto të vogla (kioskat)”, ka thënë më parë Llapashtica./Llapi.info