Në muajin korrik të vitit 2018, Inspeksioni së bashku me Policinë patën larguar të gjitha reklamat bizneseve dhe mallin duke liruar hapësirat publike në Podujevë, raporton Llapi.info
Të njëjtat pengonin edhe lëvizjen e lirë të këmbësorëve, për këtë edhe u patën larguar. Por për çudi ato dhe gjëra tjera pritet të vendosen sërish në hapësirat publike në këtë Komunë.
Kështu është bërë e ditur nga një dokument i lëshuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Podujevës. Përmes këtij dokumenti, kjo drejtori ka ftuar të gjithë pronarët e bizneseve të aplikojnë për leje për shfrytëzimin e hapësirave publike, duke përfshirë edhe reklamat.
“Njoftohen të gjithë pronarët e bizneseve, të cilët i shfrytëzojnë hapësirat publike për vendosjen e tavolinave shërbyese para lokaleve të tyre, dhe të gjithë të interesuarit e tjerë për shfrytëzim të përkohshëm të hapësirave publike në qytet, duke përfshirë edhe reklamat, të paraqesin kërkesën për marrje të lejeve në DSHPMSH”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të nënshkruar nga drejtori Faik Muçiqi, të gjithë shfrytëzuesit e hapësirave publike në rast të mos-pajisjes me leje, do të merren masa ndëshkuese ndaj tyre./Llapi.info