Nesër që nga ora gjashtë e mëngjesit do të nis greva e pronarëve të autobusëve në relacionin Podujevë-Prishtinë dhe anasjelltas. Krejt kjo, pasi që sipas tyre, po pengohen nga taksitë ilegale, raporton Llapi.info
Kryetari i 25 kompanive të transportuesve të këtij relacioni, Beqir Mustafa për Llapi.info ka thënë se greva do të nis nesër dhe e njëjta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Sipas tij, Inspektorati komunal i Podujevës dhe Policia e Kosovës nuk kanë punuar në largimin e taksive ilegale. Thotë se fitimi është zero.
“Nesër do të nis greva, që nga ora gjashtë e mëngjesit, atu takohemi të gjithë. Nuk kanë punuar as Inspektorati e as Policia në largimin e taksistëve ilegalë. Greva nis nesër dhe do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave tona. As që e kemi njet me u ndal, derisa të bëhet një marrëveshje”, ka thënë Mustafa.
Pronarët e autobusëve gjatë kësaj jave edhe kanë mbajtur një formë proteste duke mos qëndruar në Stacionin e Autobusëve, teksa edhe kanë qëndruar nëpër trotuare të parkuara, ashtu edhe si taksistët.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi i ka thënë portalit Llapi.info se inspektorët janë vazhdimisht duke punuar në atë drejtim.
“Inspektorët e komunikacionit në Komunën e Podujevës janë vazhdimisht në teren, ndërsa javët e fundit, me përkrahje të shtuar të Policisë së Kosovës, kanë intensifikuar aktivitetin në parandalimin e operimit të taksive ilegalë”, ka thënë Elezi javë më parë.
Sipas Elezit, inspektorët në vazhdimësi shqiptojnë gjoba, ndërsa në raste të caktuar bëjnë edhe konfiskimin e automjeteve që operojnë ilegalisht taksi.
Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar kryetari i 25 transportuesve, Beqir Mustafa, i cili ka theksuar se në këtë drejtim nuk është punuar fare, përkundër paralajmërimeve.
Kujtojmë, greva të tilla pronarët e autobusëve në relacionin Podujevë-Prishtinë dhe anasjelltas, kanë mbajtur edhe më parë./Llapi.info