Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka folur për procesin e brendshëm zgjedhor në Lidhjen Demokratike e Kosovës.
I ftuar në emisionin “Debat Plus”, ish-presidenti i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, s’e ka përjashtuar mundësinë e kandidimt për kryetar të kësaj partie, transmeton Llapi.info
Sejdiu tha se ky proces nuk ka nisur mbarë dhe se nuk mund të ketë zgjedhje pa u shpallur zyrtarisht nga kryesia. Shtoi se mund të përsëritet situata e zgjedhjeve të fundit dhe procesi të mos përfundojë deri në fundvit.
Në këtë debat, Sejdiu është pyetur se a ka afërsi edhe me të parin e Podujevës dhe nënkryetarin e partisë, Agim Veliun, Sejdiu është përgjigjur se ka afërsi me të gjithë zyrtarët e lartë të Lidhjes Demokratike.
Sejdiu e pranoi se ka ekzistuar një periudhë ku shumë personalitete brenda LDK-së, nuk i kanë folur, pasi që siç tha ai janë frikësuar nga hakmarrja e krerëve të partisë.
“Unë kam afërsi me të gjithë. Tash nëse flasim me gjuhën e barcoletave në një periudhë janë frikësuar të më flasin njerëzit, jo të gjithë, por ka që janë frikësuar nga penalizmi eventual pas atij kuvendi të ndodhur në vitin 2010.”, ka thënë Sejdiu, teksa është pyetur se a është Veliu ndër personat që nuk kanë pasur guxim që t’i flasin në një periudhë të mëhershme. Mirëpo, Sejdiu u përgjigj se për këtë gjë nuk dëshiron të flasë me emra.
“Nuk dua të flas me emra”, ka përfunduar Sejdiu./Llapi.info