Me një aktivitet simbolik, Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë në ditën e cila njihet si “Dita e Rrenave”, ka vendosur një baner “1 prilli – dita e Agim Veliut”, në objektin e Komunës e cila udhëhiqet nga ky i fundit, njofton Llapi.info
Në banerin e vendosur në këtë objekt, sipas VV-së, janë shpalosur premtimet dhe rrenat e të parit të Podujevës. Sheshi i qytetit, spitali, shtëpia e kulturës e stacioni i autobusëve janë disa prej tyre të cilat janë vendosur në këtë objekt.
Sipas sekretarit të kësaj partie në këtë qendër, Bahri Selimi, në këtë baner janë paraqitur edhe premtimet e kamotshme të Veliut, të cilat sipas Selimit, nuk janë realizuar.
“Sot siç dihet është 1 prilli e cila njihet ndërkombëtarisht si Dita e Rrenave, prandaj për këtë ditë ne kemi organizuar një aksion simbolik, aksion i cili ka të bëjë kryesisht me rrenat e Agim Veliut. Dhe, kemi menduar që nuk ka ditë më e mirë që e konsiston dhe përshtatet më shumë me Agim Veliun. Këtu kemi shfaq premtimet e tij që nuk janë realizuar”, ka thënë ai.
Më tej ai ka shtuar se në këtë vend janë vendosur, siç e ka quajtur ai, vetëm disa nga rrenat dhe premtime të bëra para shumë vitesh.
“Këtu sipër banerit e kemi vendosur sheshin e qytetit, shesh që kaherë është premtuar dhe nuk është realizuar kur dihet sa ka nevojë Komuna e Podujevës për një shesh të tillë. Mandej Stacioni i Autobusëve dhe të gjitha këto që i kemi paraqitur, por prapëseprapë janë vetëm disa nga shumë premtimet që kryetari Veliu i ka premtuar gjatë fushatave zgjedhore, madje jo vetëm në këtë të fundit por ka këtu projekte që janë bërë para shtatë-tetë vjetëve që s’janë realizuar asnjëherë. Ky aksion është vetëm simbolik i cili pasqyron rrenat dhe premtimet e parealizuara të Agim Veliut”, ka thënë Selimi.
Ndërkaq, këshilltarë, anëtarë e aktivistë të këtij subjekti, kanë vendosur fotografi edhe nëpër lokacione tjera të qytetit të cilat sipas tyre, paraqesin premtimet e kreut të Komunës, e që ato, sipas VV-së, nuk janë realizuar.
Kujtojmë, aksion të tillë Lëvizja Vetëvendosje kishte realizuar edhe në dhjetor të vitit 2015 nëpër rrugët e qytetit të Podujevës./Llapi.info