Podujeva, foto arkiv

As java që tashmë lamë pas e fundit për muajin mars nuk ka kaluar pa incidente në Komunën e Podujevës, njofton Llapi.info

Përgjatë një jave ndodhen raste të ndryshme, aksidente, rrahje e zjarrvënie të raportuara nga Policia e Kosovës.

Të hënën në këtë Komunë është arrestuar një person, nën dyshimin se i njëjti ka lajmëruar (kallëzuar), në mënyrë të rreme me një rast të vjedhjes. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Të mërkurën në fshatin Sfeçël të Podujevës është raportuar se nga zjarri janë dëmtuar 400 fidanë. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, i dyshuari si shkaktar i zjarrit është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Mesditën e së mërkurës, një person i kërkuar është arrestuar në fshatin Bervenik. Sipas raportit të PK-së, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. I njëjti për vuajtje të dënimit është dërguar në burgun e Dubravës.

Ndërsa, në mbrëmje të kësaj dite një çiklist është goditur nga një makinë në rrugën “Ilir Konfushevci”. I aksidentuari ka pësuar lëndime me ç ’rast edhe është dërguar në QKUK.

“Rr. “Ilir Konushevci”, Podujevë 27.03.2019-18:50. Është raportuar për një aksident trafiku në mes të një automjeti dhe një biçiklisti. Përveç dëmeve materiale lëndime trupore ka pësuar njëri nga drejtuesit i cili është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”, ka njoftuar PK.

Në raportin e së premtes të Policisë së Kosovës, është bërë e ditur se në një shkollë të Podujevës gjashtë nxënës janë rrahur mes vete,  ku një prej tyre është lënduar dhe ka pranuar tretman mjekësor në QMF-Podujevë.

Pesë nxënësit e tjerë, pas intervistimit në prani të prindërve me vendimin e prokurorit, janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 24 orë (rasti ka ndodhur më 27 mars). Ndërkaq, Policia nuk ka njoftuar se në cilën shkollë ka ndodhur incidenti.

Ndërkohë, përgjatë raporteve të vikendit nuk është njoftuar për ndonjë incident të shënuar në këtë qytet./Llapi.info