Llapi ka arritur të shënojë fitore në udhëtim te KEK-u me rezultat 1-0, njofton Llapi.info

Pas fitores, kryetrajneri i Llapit Tahir Batatina, ka thënë se sfida e sotme nuk ishte e lehtë siç pretendohej nga disa zëra.

“Sot nuk ishte Llapi që unë dëshiroj ta shoh, por i kam ruajtur disa futbollistë. Shumë zëra kam dëgjuar nga mëngjesi deri para ndeshjes se Llapi do të shkojë t’i marrë pikët me lehtësi, megjithatë ne i demantuam pasi si KEK-u ashtu edhe Llapi u angazhuan maksimalisht”, theksoi Batatina për SuperSport.

Në ndeshjen e radhës, Llapi pret në ‘Zahir Pajaziti’ Gjilanin, ku për këtë Batatina ka thënë se do të kompletohet ekipi.

“Nga ndeshja e ardhshme do ta shohim një Llap krejtësisht ndryshe pasi na kthehen disa lojtarë që sot i pushuam për shkak të kartonëve dhe ndaj Gjilanit do të jemi komplet”, ka potencuar Batatina.

Ai pati edhe disa ankesa në ndarjen e drejtësisë, teksa ka bërë thirrje që gjyqtarët të jenë të kujdesshëm. Llapi me këtë fitore është vetëm dy pikë prapa liderit./Llapi.info