12 mijë euro janë planifikuar të ndahen për vendosjen e kamerave monitoruese nëpër objekte shkollore në Komunën e Podujevës, transmeton Llapi.info

Kamerat, sipas një njoftimi për kontratë me titull “Furnizim dhe montim i kamerave në disa shkolla”, do të jenë monitoruese përbrenda dhe jashtë objekteve shkollore.

Sipas njoftimit, sasia e kamerave do të jetë 18 copë për jashtë, ndërsa 42 të tjera do të jenë kamera për brenda shkollave, derisa vlera e parashikuar e kësaj kontrate është 12 mijë euro.

Ndërkohë, pas rasteve të ndryshme të ndodhura në shkolla e Podujevës, këshilltarët komunalë nëpër seanca të ndryshme të mbajtura në Kuvend, kanë dhënë kritika sa i përket sigurisë nëpër shkolla.

Këshilltarët përveç kamerave, kanë kërkuar që edhe organet tjera të sigurisë të jenë përreth shkollave. Kanë kërkuar që edhe gjatë pushimeve ndër mësimore, nxënësit të jenë brenda hapësirave të shkollës.

Ndryshe, në shkollat e Podujevës gjatë gjysmë-vjetorit të parë (2018), kanë ndodhur incidente të ndryshme si rrahje e po ashtu edhe të therjeve me thika./Llapi.info