Muaji prill në Komunën e Podujevës nuk ka nisur qetë. Përgjatë javës së parë të këtij muaji, në këtë Komunë janë shënuar incidente të ndryshme, njofton Llapi.info

Në raportet e Policisë së Kosovës është raportuar për kanosje, rrahje e të arrestuar.

Kësisoj më 1 prill (e hënë), në Podujevë Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është kanosur me armë. Sipas raportit të PK-së, ankuesi pas një mosmarrëveshje në një kafiteri me të dyshuarin, ky i fundit ka nxjerrë armën-revolen nga brezi dhe ia ka drejtuar viktimës, por nuk e ka shkrepur dhe është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Të martën në Podujevë është arrestuar një person, pasi që i njëjti kishte sulmuar seksualisht një femër. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur të martën rreth orës 10:20. Siç thuhet në raport, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

Në po këtë ditë, një person i kërkuar është arrestuar nga Policia. Sipas PK-së, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. I njëjti për vuajtje të dënimit është dërguar në burgun e Dubravës.

Të enjten, Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona janë rrahur pas një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor. Si pasojë e këtij konflikti fizik, njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore, i njëjti ka pranuar trajtim mjekësor. Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, të dy persona janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Ndërsa, të premten dy persona janë arrestuar në Podujevë, pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje kishin sulmuar njëri-tjetrin. Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes. E në mbrëmje të së premtes për lëndim të rëndë trupor, pas një pune operative – hetimore zhvilluar nga policia, është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull, i njëjti pas intervistimit me vendimin e prokurorit, është dërguar në qendrës e mbajtjes. /Llapi.info