Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, e ka mirëpritur lajmin nga Këshilli i Komunës së Velbertit të Gjermanisë, për votimin e vendimit për binjakëzimin me Komunën e Podujevës, njofton Llapi.info
Me këtë rast, Veliu ka falënderuar kryetarin e Velbertit, anëtarët dhe strukturat tjera të cilët, sipas Veliut, kanë punuar me ekipet e Komunës së Podujevës për finalizimin e këtij procesi.
Sipas të parit të Komunës së Podujevës, gjatë kësaj jave me një ceremoni solemne në Podujevë do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes së binjakëzimit.
Lexo edhe: Komuna e Podujevës nis procedurat e binjakëzimit me Velbertin e Gjermanisë
“Kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin e mirë se sot Këshilli i Komunës së Velbertit të Gjermanisë ka votuar vendimin për binjakëzimin e kësaj komune me Komunën e Podujevës. Me këtë rast falenderoj Kryetarin e Velbertit z. Dirk Lukrafka, anëtarët e Këshillit dhe të gjitha strukturat e këtij qyteti, të cilat punuan së bashku me ekipet e komunës tonë deri në finalizimin e këtij procesi. Falënderoj edhe bashkatëdhetarin llapjan, i cili jeton në Velbert, z. Rrahman Islami, për angazhimin disavjeçar deri në finalizimin e miqësisë mes dy komunave. Pas këtij vendimi, gjatë kësaj jave do të vijë për vizitë në Podujevë Kryetari i Velbertit z. Lukrafka, me të cilin në një ceremoni solemne do ta bëjmë nënshkrimin e marrëveshjes së binjakëzimit”, ka shkuar Veliu në Facebook./Llapi.info