Shefi i grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Podujevë, Rafet Llapashtica, ka folur për gjendjen në Komunën e Podujevës, njofton Llapi.info
Llapashtica duke folur edhe për situatën aktuale që e ka prekur Kosovën, ka thënë se gjendja në Podujevë nuk ka ndryshuar që nga paslufta. Sipas tij, migrimi e ka prekur edhe këtë Komunë.
“Ky trend i ikjeve është edhe në nivel vendi dhe ky fenomen e ka prekur padyshim edhe Podujevën. Njerëzit kompetentë, politikanët apo kryetarët e Komunave duhet t’i japin përgjigje problemeve apo kërkesave të secilit qytetar. Në Podujevë në bazë të statistikave dhe kontakteve që kemi pas, thuhet se diku ka rreth 4 mijë qytetarë që e kanë lëshuar vendin, nuk është saktësisht ky numër se nuk është bërë ndonjë matje. Ky fenomen ndodh kur qytetari dhe populli e humb shpresën te akterët politikë dhe është më e rrezikshme se lufta. Ky fenomen është i rrezikshëm dhe mendoj që niveli lokal, por edhe ai qendror duhet t’i ndërpres”, ka thënë ai në një intervistë për radio televizionin publik, transmeton Llapi.info
I pyetur sa a mund të jenë premtimet e parealizuara një prej arsyeve e zhgënjimit të qytetarëve, Llapashtica ka theksuar se premtimet e bëra duhet të realizohen, e që sipas tij, i pari i Podujevës Agim Veliu s’i ka realizuar. Sipas Llapashticës, nga 13 premtime që kishte bërë nuk është realizuar asnjë.
“Çdo subjekt i bënë premtimet në fushata zgjedhore, por premtimet duhet të realizohen. Gjendja në Podujevë nuk është e mirë, një realitet që mund të konstatohet. Kryetari i Komunës, Agim Veliu ka vazhduar mandatin e dytë me premtimet që i ka dhënë, mirëpo prej 13 premtimeve nuk është realizuar asnjë. Ka premtuar se do ta sjell një degë të fakultetit publik në Podujevë, por nuk është bërë. Podujeva është qyteti pa semaforë që nuk iu ofrojnë zgjidhje 40 auto-shkollave. Podujeva është e vetmja Komunë që nuk ka trajtim të ujërave të zeza. Premtim i Veliut ka qenë edhe palestra e sportit…Secili që vjen në Podujevë qe 19 vite qeverisje, Podujevën e sheh shumë pak ndryshe”, ka thënë Llapashtica.
“Është e vërtetë që ka politizim të sektorëve, sidomos të arsimit dhe shëndetësisë. Çështje tjetër është ish-drejtori i arsimit, Avni Maloku është me aktakuzë për diskriminime politike. Pronat publike në Podujevë në nivel Kosove, munden me qenë një prej Komunave që keq-menaxhohen në formën më ekstreme të keqe. Kemi konstatime të uzurpimeve të pronave publike, e një rast është edhe në fshatin Llugë për ndërtimin e obeliskut të heroit kombëtar, Afrim Zhitia”, ka vazhduar ai./Llapi.info