Inspektorati komunal dhe ai i Ministrisë së Infrastrukturës së bashku me Policinë e Kosovës, janë duke vazhduar në parandalimin e operimit të taksistëve ilegalë në linjën Podujevë-Prishtinë dhe anasjelltas, njofton Llapi.info

Krejt kjo, pas grevës së mbajtur dhe ‘trysnisë’ së shoferëve të autobusëve në këtë relacion, për t’i larguar taksitë ilegale, pasi që sipas tyre po u kushton me humbje. Më 25 dhe 26 mars, asnjë autobus nuk ka lëvizur nga stacioni, kështu duke u mbajtur greva.

Mirëpo, ajo u ndërpre nga ata me pretekstin se ka filluar t’u plotësohen kërkesat me largimin e taksive. E për këtë qytetarët thonë se kanë të drejtë të vendosin se me çka duan të udhëtojnë drejt kryeqytetit.

Megjithatë, qytetarët janë ankuar se edhe autobusët ndalen vend e pa vend dhe jo në stacione, ndërsa në shumicën e rasteve pasagjerët detyrohen të qëndrojnë në këmbë si rezultat i ‘mbushjes’ më shumë se sa që i ka ulëset një autobus. E nga kjo, sipas tyre, po shkaktohen edhe vonesa.

Por, këtë e ka mohuar kryetari i shoqatës së autobusëve, Beqir Mustafa. Thotë se është duke u punuar në largimin e taksistëve, dhe sipas tij, njëherë nuk do të ketë grevë.

“I lëshojmë ka dy autobusë kur ka udhëtarë më shumë, nuk është e vërtetë se udhëtarët qëndrojnë në këmbë. Njëherë nuk do të ketë grevë, janë duke punuar Inspektorati dhe Policia”, ka thënë ai.

Se që është duke u punuar në këtë drejtim e thonë edhe nga Komuna e Podujevës. Brenda pak kohe, 63 automjete u janë konfiskuar taksistëve. Kështu ka thënë për Llapi.info zëdhënësi i Komunës, Nazmi Elezi.

“Inspektorët komunalë, por edhe ata të Ministrisë së Infrastrukturës dhe zyrtarët e Policisë së Kosovës vazhdimisht janë në teren dhe po ndërmarrin të gjitha masat ligjore për të parandaluar punën e taksive ilegalë. Brenda periudhës nga 7 shkurt deri më 10 prill janë konfiskuar 63 automjete të operatorëve ilegalë”, ka thënë Elezi.

Më tej, Elezi ka shtuar se do të vazhdohet me aktivitete të rregullta për parandalimin e operimit të taksive ilegale.

“Inspektorët komunalë janë duke vazhduar të monitorojnë dhe mbikëqyrin në qytet pikat e identifikuara të nisjes së taksive ilegale, në mënyrë që të parandalojnë operimin e tyre. Në kuadër të kompetencave ligjore dhe përgjegjësive që kanë, inspektorët komunalë do të vazhdojnë me aktivitete të rregullta në teren, për të parandaluar operimin e taksive ilegalë”, vijoi Elezi.

E për largimin e tyre edhe Policia ka zhvilluar sërë aksionesh, madje edhe duke i ndjekur me vetura ‘si nëpër filma’. Për këto aktivitete, Llapi.info ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Policia e Podujevës, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk janë dhënë detaje në lidhje me këtë çështje.

Kujtojmë, edhe vitin e kaluar pronarët e autobusëve në Podujevë kanë mbajtur grevë dyditore, teksa e njëjta është mbajtur edhe përpara Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Infrastrukturës./Llapi.info