Që nga tetori i vitit 2016-të kur ishte marrë vendim nga Ministria e Shëndetësisë për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës, vit pas viti ishte premtuar se ky spital do të jetë i gatshëm për të ofruar shërbime për qytetarët e kësaj komune. Por, tani kur jemi në vitin 2019, ky spital s’është funksionalizuar përkundër faktit që në objekt kanë përfunduar punimet, shkruan Llapi.info
U premtua se shërbimet qytetarët do t’i merrnin në vitin 2017, fillimi i punës u shty për vitin 2018 e deri më tani (prill 2019), ky spital vazhdon të qëndrojë vetëm si objekt i përfunduar, kështu duke u zvarritur funksionalizimi.
Për këtë objekt, kryetari i Podujevës, Agim Veliu, në maj të vitit të kaluar kishte thënë se është funksionalizuar, por në fakt vetëm reparti i Maternitetit është bartur nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF). Mirëpo, edhe përkundër kësaj, Veliu nuk pati dhënë ndonjë datë se kur do të fillojë funksionalizimi i tërësishëm i Spitalit, ani pse ai pati thënë se mjetet për aparaturën e nevojshme janë ndarë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Me funksionalizimin edhe të reparteve të tjera pacientët tanë nuk do të kenë nevojë të shkojnë në SHSKUK për të marrë shërbime shëndetësore spitalore, por ato do t’i marrin në Spitalin e Podujevës”, kishte shkruar Veliu.
E, tani Komuna e Podujevës e fajëson Ministrinë e Shëndetësisë për këtë zvarritje. Zëdhënësi i Komunës, Nazmi Elezi i ka thënë portalit Llapi.info se afatet të cilat i pati dhënë kjo ministri nuk i ka respektuar.
“Në vitin 2016 Ministria e Shëndetësisë mori vendim për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë dhe përcaktoi afatet kohore për funksionalizmin e tij. Mirëpo, këto afate nuk janë respektuar dhe për pasojë spitali ende nuk është funksional”, ka thënë Elezi, duke shtuar që për të tjera informacione të kërkohen nga ministria.
Se cilat kanë qenë arsyet e zvarritjes dhe se kur do të vihet i tëri në funksion ky objekt, Llapi.info ka pritur me muaj përgjigje nga zyrtarët për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, por nuk janë dhënë detaje për këtë çështje.
Në anën tjetër, ky objekt këshilltarët opozitarë në asamblenë komunale, thonë se është përdorur për fushatë zgjedhore nga ana e të parit të Podujevës, Agim Veliu. Sipas opozitës, një Spital i Përgjithshëm i duhet Podujevës, pasi që sipas tyre, qytetarët detyrohen të shkojnë në Prishtinë për shërbime të cilat do të mundeshin t’i merrnin në këtë Komunë.
Kryetari dhe këshilltari nga radhët e partisë më të madhe opozitare në Podujevë, Lëvizjes Vetëvendosje, Bajram Ajeti, duke shtuar se sa është i nevojshëm ky spital për llapjanët, ka shtuar se ky objekt, sipas tij, është përdorur vetëm për fushata zgjedhore.
“Në vitin 2014-15, u nis ndërtimi i tij në oborrin e QKMF-së dhe përfundoi, kështu duke u përdorur për dy fushata zgjedhore. Realisht ai nuk është funksionalizuar kurrë, ndërsa aty është vendosur vetëm Materniteti. Pra, është shfrytëzuar vetëm për fushata. Këta kanë thënë se e presin vendimin nga Ministria e Shëndetësisë, por ka mbetur vetëm një premtim bosh i tyre”, ka thënë Ajeti.
Sipas Ajetit, edhe pse është i destinuar për spital, ky objekt nuk i plotëson kushtet. Ajeti, duke shtuar se është përmendur nëpër fushata zgjedhore, e ka cilësuar si të dështuar qeverisjen Veliu për mos-funksionalizimin e spitalit.
“Kam bindjen se është dashur të funksionalizohet, bile shërbimet specialistike se për këtë qytetarët nga Llapi transportohen për në Prishtinë. Tjetër është se edhe ky objekt nuk i plotëson kushtet për një spital, ndërsa vetëm për një Maternitet në kushte minimale. Pra, është dështim total i qeverisjes aktuale se është në pyetje që 6-7 vjet që bëhen premtime edhe kanë dështuar. Madje edhe kanë marrë disa pajisje, e ato kanë mbetur të pashfrytëzuara e që kushtojnë me mijëra euro”, është shprehur Ajeti.
Të dështuar qeverisjen e ka cilësuar edhe shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica. Sipas tij, nga neglizhenca sot Komuna e Podujevës ka mbetur pa spital.
“Ky është edhe një nga dështimet e radhës të qeverisjes lokale të LDK-së të udhëhequr nga kryetari Veliu në Podujevë. Ky projekt është dashur të kryhet në vitin 2017, por kjo s’ka ndodhur. Ne jemi dëshmitarë se LDK nuk njihet as në nivel lokal këtu në Podujevë, por as në nivel nacional për realizimin e projekteve të mëdha. Mos-aftësia profesionale dhe neglizhenca e mos-angazhimit për këtë çështje sot Podujeva nuk ka spitalin e qytetit. Në kohë fushate, kryetari Veliu preu shiritin e përurimit vetëm sa për t’i vendosur në lajthitje qytetarët dhe stafin mjekësor, dhe gjendja në shëndetësi mbetet e njëjtë”, ka thënë Llapashtica.
Ndryshe, për këtë dhe objekte tjera të përfunduara, por të pafunksionalizuara kritika të shumta janë dhënë gjatë seancave të ndryshme në Kuvendin Komunal./Llapi.info