Një vjedhje e rëndë është regjistruar të shtunën mbrëma në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info

Në parkingun e marketit “Agnesa” në kilometrin e parë të magjistrales Podujevë – Prishtinë, hajnat kanë thyer veturën e një mërgimtari.

Në bazë të pamjeve, shihet se brenda veturës së tipit ‘BMW X3’, është kryer vjedhje dy herë brenda pak sekondash.

Sipas pronarit të veturës, në të janë vjedhur një laptop dhe një çantë krahu.

Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësja për informim në Stacionin e Policisë në Podujevë, Antigona Çitaku-Dibrani.

Çitaku-Dibrani ka thënë se Policia e ka një pistë të hetimeve dhe se në koordinim me Prokurorin e Shtetit, rasti është cilësuar si ‘vjedhje e rëndë’.

“Me datën 13.04.2019 rreth orës 22:00, Stacioni Policor i Podujevës iu është përgjigjur thirrjes, ku ishte raportuar se në magjistralen Podujevë – Prishtinë, tek parkingu i “Angesa Market”, një veture iu është thyer xhami me ç’ rast nga vetura, sipas ankuesit, ishte vjedhur një kompjuter/lap-top personal dhe një çantë krahu. Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka hapur rastin “vjedhje e rëndë” dhe të njëjtin është duke e hetuar. Kemi një pistë hetimi ku janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për zbardhje të rastit”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, raste të tilla ku veturat po janë cak i hajnave kohëve të fundit janë shtuar në Kosovë./Llapi.info