Llapi ka arritur të shënojë fitoren e pestë me radhë, duke e mposhtur Drenicën me rezultat 2-0, njofton Llapi.info
Vendasit dominuan plotësisht në pjesën e parë të ndeshjes, derisa Armend Abazi në minutën e 37’ lëshoi një rast të volitshëm për t’u konkretizuar me gol.
Vetëm dy minuta më vonë, mysafirët nga Podujeva provuan me Egzon Sinanin në minutën e 39’, por goditjen e tij e devijoi portieri kundërshtar.
Krejt në fund të pjesës së parë, Drenica rrezikoi me Princ Balden, mirëpo ‘gardiani’ Eglant Haxho i Llapit ia mohoi golin nikoqirëve në minutën e 44’. Pjesa e parë e ndeshjes në “Bajram Aliu” të Skenderajt përfundoi me rezultat të barabartë 0-0.
Gjashtë minuta pasi filloi pjesa e dytë, llapjanët realizuan gol me anë të mesfushorit Mentor Zhdrella, i cili shënoi gol të bukur nga gjuajtja e lirë.
Pas këtij goli të pranuar, nikoqirët rrezikuan portën e llapjanëve, teksa në minutën e 57’ Armend Abazi qëlloi traversën. Llapi rrezikoi edhe në minutën e 75’ me anë të sulmuesit Ahmed Januzi, por portieri Arion Ymeri ia mohoi golin.
Drenicasit rrezikuan disa herë deri në përfundim të ndeshjes, por që rastet e lëshuara i kushtuan me humbje, kur në minutën 93’ Ahmed Januzi ia sigurojë Llapit tri pikë të plotë në udhëtim.
Pas kësaj fitoreje, Llapi grumbullon 63 pikë në vend të dytë dy më pak se lideri aktual Prishtina, ndërsa Drenica radhitet në pozitën e pestë me 38 pikë.
Në ndeshjen e radhës Llapi pret në shtëpi Dritën, kurse Drenica i shkon Prishtinës./Llapi.info