Partia Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë, sot ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor në këtë Komunë, raporton Llapi.info
Ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu, u zgjodh kryetar me vetëm dy vota më shumë se kundërkandidati i tij, Fahri Osmani. Fetahu mblodhi 117 vota, kurse Osmani 115.
Sipas komunikatës së kësaj partie, gara në këto zgjedhje ishte “fer dhe demokratike”.
Por, Llapi.info mëson se pas këtij rezultati, pakënaqësitë brenda PDK-së në Podujevë veçse kanë filluar dhe se kjo parti do të dal me një deklaratë zyrtare rreth këtyre zgjedhjeve.
“Sot në Podujevë, është mbajtur Kuvendi zgjedhor në frymë demokratike, në një garë fer dhe demokratike, garë e ngushtë në mes të dy kandidatëve, Naim Fetahut dhe Fahri Osmanit. Rezultati pas numërimit të votave ishte i ngushtë, 117 me 115 ku z. Fetahu zgjidhet kryetar dege i PDK-së, në Podujevë”, ka bërë të ditur PDK-ja në një njoftim për media.
Duhet përkujtuar se Osmani pati përkrahjen e shumë të rinjve të PDK-së në këtë garë, por strukturat e vjetra të kësaj dege përkrahen Naim Fetahun, e që ky i fundit edhe arriti të bëhet kryetar.
Ndryshe, kryetari i ri i degës së PDK-së në Podujevë, Naim Fetahu, ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, zëvendësministër i Shëndetësisë, zv.ministër i Administratës Publike dhe në Ministrinë e Financave. Për një vit ai ka qenë edhe drejtor i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës. Po ashtu, Fatahu ka qenë kryetar i degës së PDK-së në periudhën 1999-2005./Llapi.info