Përderisa pemët po lulëzojnë në stinën e pranverës, njësoj po ndodh edhe me asfaltin nëpër Kosovë.

Në fshatin Selishtë të Gjilanit shihen pamje nga bari i mbirë në asfalt. Kjo rrugë ka pak kohë që është asfaltuar nga komuna e Gjilanit, shkruan Gazeta Express.

Ky fenomen ka filluar të bëhet përditshmëri në rrugët dhe asfaltin e Kosovës me ardhjen e stinës së pranverës.

Raste të tjera të çeljes së barit mbi sipërfaqen e asfaltit janë raportuar edhe në fshatin Çabiq të Klinës. Bimëve iu deshën më pak se pesë muaj për të shkatërruar asfaltin. Asfaltimi i rrugës Çabiq – Ujmirë ishte bërë nga Komuna e Klinës, në dhjetorin e vitit të kaluar. Pas raportimit të rastit komuna e Klinës kishte filluar menjëherë të “prishë” kopshtin mbi asfaltin e fshatit.

Njësoj është raportuar edhe për fshatin e kryeministrit Haradinaj, aty nga pamjet shihet se si bari lulëzon mbi asfalt.

Për këtë kishte shkruar edhe deputeti Milaim Zeka në një postim në profilin e tij në Facebook. Ai kishte postuar edhe fotografitë nga vendi ku, sipas tij, ky asfalt ishte shtruar vetëm pesë muaj më parë.

“Pamje nga rrugët e fsh. Gllogjan. Po me pyet një qytetar: A ju vjen marre more? Para pese muajsh u shtru ky asfalt, shikojeni sot”, shkruan Zeka.