Llapi ka arritur të regjistrojë fitoren e gjashtë rresht në kampionat, pasi që në shtëpi ka mposhtur Dritën me rezultat minimal 1-0, njofton Llapi.info
Në pjesën e parë të ndeshjes të dyja skuadrat patën raste shënimi, por rrjetat mbetën të paprekura.
Me të nisur pjesa e dytë, llapjanët rrezikuan me anë të Bujar Idrizit, i cili në minutën e 51’ goditi shtyllën nga gjuajtja e lirë. Vetëm katër minuta më vonë 55’, mesfushori i Llapit, Hamdi Namani gjuan fuqishëm në portën kundërshtare, por goditjen e tij e priti Mario Kirev.
Ishte top-sulmuesi i Llapit, Festim Alidema, ai i cili me një gol të bukur zhbllokoi rezultatin në ‘Zahir Pajaziti’, kur po zhvillohej minuta e 72’.
Shtatë minuta më vonë Llapi provoi edhe me Ahmed Januzin, por goditja e tij u ndal nga portieri kundërshtar. Tetë minuta para përfundimit të ndeshjes, Eglant Haxho i Llapit u gjet në vështirësi, pas goditjes nga gjuajta e lirë të ekzekutuar nga Endrit Krasniqi. Krye-ndeshja e javës së 29-të përfundoi me rezultat 1-0 në favor të Llapit që vazhdon garën për titull.
Pas kësaj fitore, Llapi arrin në kuotën e 66 pikëve në pozitën e dytë, dy më pak se lideri Feronikeli që mposhti sot Gjilanin, ndërsa Drita radhitet në pozitën e katërt me 47 pikë.
Në xhiron e radhës, Llapi pret në shtëpi Trepçën 89’, kurse Drita zhvillon derbin tjetër kundër Prishtinës në Gjilan./Llapi.info