Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj pengimit të punës së një furre, pronë e një shqiptari në Beograd.
Siç ka thënë Pacolli, në raport me realizimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në këtë vend, Serbia ka karakteristika të kombinuara të regjimeve kriminale, shteteve të dështuara, dhe regjimeve totalitare.
“Mentaliteti i tillë paraqet një ndërthurje të fashizmit nën petkun paramilitar dhe bandave kriminale bashkë. Demokracia nuk vlen për jo serbet në këtë vend, dhe nuk e kuptoj pse synojnë t’i bashkohen BE-së!”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Ndryshe, siç kanë raportuar mediat serbe, disa njerëz u mblodhën para furrës “Roma” në Borça, ku protestuan, pasi djali i pronarit të këtij objekti, ka publikuar në rrjetet sociale një foto që tregon simbolin e shqiponjës dykrenare.
Po sipas tyre, njerëzit e mbledhur rreth orës 10 të paradites në këtë pjesë të Beogradit, mbanin flamuj serbë dhe ishin duke kënduar këngë serbe.