Llapi nuk di për humbje që gjashtë ndeshje radhazi në Superligë, teksa sot në Podujevë ka mposhtur Dritën minimalisht 1-0, njofton Llapi.info
Golin e vetëm në derbin e javës së 29-të e realizoi Festim Alidema, kur po zhvillohej minuta e 72’. Për sulmuesin ky gol ishte i njëmbëdhjeti për të.
Pas kësaj fitore, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka thënë se ekipi i tij është i fuqishëm dhe do ta bëjë vetveten kampion, ndërsa në verë do të luaj në garat ndërkombëtare.
“E kemi ditur se Drita ka një skuadër cilësore. Ata sot kishin ardhur tejet të motivuar, por është e kotë sepse Llapi është shumë i fuqishëm. Ne do ta bëjmë kampion vetveten dhe nuk kërkojmë që të na bëjë dikush tjetër. Do të hyjmë me qetës nga ndeshja në ndeshje. Do ta presim të qetë duelin me Trepçën ’89 e pastaj i kemi dy ndeshje me rivalët direkt. Sot referimi ishte shumë i mirë dhe nëse referohet kështu nuk kemi nevojë për referë ndërkombëtarë”, është shprehur Batatina pas ndeshjes.
“Dua t’u them tifozëve të mos presin lojëra të mira nga Llapi në këto ndeshjet e fundit. Për mua me rëndësi është të shënojmë një gol dhe t’i marrim tri pikë. Lojëra të mira ju garantoj në stadiumin e legjendës Fadil Vokrri, atëherë kur Llapi do të marrë pjesë në gara ndërkombëtare”, përfundoi trajneri llapjan.
Ndryshe, momentalisht Feronikeli është lider në tabelë me 68 pikë, dy më shumë se Llapi i vendit të dytë dhe tri më shumë se Prishtina e vendit të tretë që ka një ndeshje më pak të zhvilluar./Llapi.info