Tregtia shqiptaro-jugosllave, e pazhvilluar gjatë ftohjes njëdekadëshe të raporteve midis dy shteteve, u ringjall pas përkeqësimit të raporteve të Shqipërisë me Kinën.
Oda ekonomike e secilit shtet hapi zyrë në kryeqytetin e tjetrës, derisa në vitin 1986, një linjë e re hekurudhore me Jugosllavinë e lidhi për herë të parë Shqipërinë me rrjetin hekurudhor evropian.
Importet shqiptare prej Jugosllavisë përfshinin çelikun, shinat hekurudhorë, kabllot, tjegullat, prodhimet farmaceutike, pajisjet elektronike, tekstilin, ushqimin dhe mallrat kapitale, shkruan sot Koha Ditore.
Jugosllavia importonte energji elektrike, duhan, krom, bitumen, benzinë, gaz natyror, konjak dhe ushqim nga Shqipëria. Pasojat e krizës politike në Kosovë patën çuditërisht pak ndikim në tregtinë shqiptaro-jugosllave deri në fillimin e viteve nëntëdhjetë, kur shpërtheu lufta midis Kroacisë dhe Serbisë.
Më 1991, Qeveria shqiptare dhe liderët shqiptarë të Kosovës punuan drejt krijimit të një komisioni të përbashkët, me seli në Tiranë, për promovimin e lidhjeve më të ngushta ekonomike.
Pas shkëputjes me Bashkimin Sovjetik më 1960, Shqipëria nuk luajti ndonjë rol në aktivitetet e Comeconit. Tregtia me bllokun lindor – me përjashtim të Bashkimit Sovjetik, me të cilin Shqipëria vazhdonte të mos kishte raporte tregtare – u rrit pas prishjes së raporteve me Kinën.
Në përgjithësi, Shqipëria i furnizonte partnerët e saj tregtarë të botës komuniste me xehe metali dhe me produkte bujqësore; ajo importonte makineri, pajisje transporti dhe disa mallra konsumi. Shqiptarët siguronin çelikun dhe qymyrin nga Polonia, kamionët dhe gomat nga Çekosllovakia, fletët e çelikut nga Bullgaria, si dhe makinerinë e tekstilit dhe plehun nga Gjermania Lindore.
Shqiptarët, po ashtu, nënshkruan një kontratë me Hungarinë për ndërtimin e një fabrike farmaceutike në Tiranë. Pas një stagnimi pesëvjeçar, Kina dhe Shqipëria i vazhduan aktivitetet tregtare më 1983.
Sido që të jetë, këtij raporti të ri i mungonte afrimiteti i periudhës dymbëdhjetëvjeçare të bashkëpunimit të ngushtë në vitet gjashtëdhjetë dhe në fillimin e viteve shtatëdhjetë. Shqipëria kishte edhe njëfarë bashkëpunimi me Republikën Popullore Demokratike të Koresë (Koreja e Veriut) dhe me Kubën.