Rreth 20 persona kanë humbur jetën në vendin tyre të punës, që nga fillimi i vitit të kaluar, vetëm në sektorin e ndërtimit, në Kosovë.
Së fundmi, një 27-vjeçar nga Mitrovica humbi jetën, pas shembjes së një pjese të objektit të njohur si ish-hotel Adriatiku, ku ai po punonte. Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Mitrovicë u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dy personave, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerje të veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Derisa hetimet për rastin ende vazhdojnë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka kërkuar nga institucionet shtetërore ashpërsimin e masave ndëshkimore.
Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, thotë se vetëm ashpërsimi i gjobave dhe revokimi licencave për kompanitë ndërtimore që shkelin të drejtat e punëtorëve dhe rrezikojnë ata, është zgjidhje përmirësim të gjendjes, shkruan rel.
“Është joserioze, është përbuzje, është qesharake që ndonjë kompani që ka miliona euro qarkullim të dënohet me dy-tre mijë euro për një rast ku një punëtor apo dy punëtorë e humbin jetën. Aty duhet të ndryshojë ligji dhe duhet të ashpërsohen dënimet. Do të thotë nëse e godet ekonomikisht, një person të papërgjegjshëm, i cili ka përgjegjësi për sigurimin e kushteve për punëtorë, është e vetmja mënyrë që ai ta ndalet dhe të mendojë për investime më të mëdha në përmirësimin e kushteve të sigurisë. Një kompanie që ka dy-tri raste të ngjashme, nuk mund t’ia vazhdoni licencën e punës, por duhet t’i merret licenca e punës”, vlerëson kryetari i KMDLNJ-së.
Shala kërkon nga institucionet shtetërore të gjejnë një modul për krijimin e një fondi për punëtorët që pësojnë në vendin e punës, qoftë përmes shumës që mblidhet nga gjobat apo edhe një takse të veçantë.
“Kemi kërkuar të ashpërsohen dënimet, dhe prej atij ashpërsimi të dënimit të krijohet një fond, i cili do t’u shkonte vetëm atyre që pësojnë në vendin e punës dhe familjeve të tyre, përmes një kompensimi momental dhe një kompensimi në formë të një pensioni, i cili nuk do të ishte më i ultë sesa paga mesatare në Kosovë. Kjo është e vetmja mënyrë për t’i mbrojtur punëtorët”,shton tutje Shala.
Përderisa shprehin shqetësimet e tyre lidhur me rastet e vdekjeve në vendin e punës, në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kërkojnë ndëshkim juridik dhe ekonomik për shkelësit e ligjit.
Sipas kryetarit të BSPK-së, Avni Ajdini, mënyra e vetme për të “vetëdijesuar” kompanitë për të mos rrezikuar punëtorët, janë gjobat, detyrimi për kompensim ndaj të dëmtuarit/familjes, si dhe ndjekja penale.
“Të dënohen maksimalisht dhe duhet ta bartin përgjegjësinë e të ndjerit, për disa vite me radhë, për mbajtjen e familjes. Kjo do të ishte. Edhe dënimi do të ishte maksimal. Në këtë drejtim do të mund t’i vetëdijesonim. Sikur në shtetet e perëndimit, vetëdijesimi vjen vetëm kur ta prekësh në xhep. Përndryshe në aspekt psikik të mentalitetit, te ne, kjo nuk vjen në shprehje, derisa të disiplinohemi si duhet që ta respektojmë ligjit. Për këtë arsye jam që dënimet të pësojnë dhe kushti, mbajtja e familjes së të ndjerit. Por vetëm gjoba, por pastaj ka punë edhe prokuroria që duhet ta ndjekë penalisht (punëdhënësin), sepse punëdhënësi ka qenë i obliguar që të mos i lejojë punëtorët të futen në gjendje të rrezikshmërisë, sepse fataliteti nuk kthehet më”, vlerëson Ajdini.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se pas rastit në Mitrovicë, kryeministri Ramush Haradinaj ka mbledhur Inspektoratin e Punës dhe dikasteret relevante në Qeverinë e tij, për të diskutuar lidhur me veprimet që duhet merren për parandalimin e vdekjeve në vendin e punës.
Zëdhënësja e ekzekutivit, Donjeta Gashi, thotë se kryeministri u ka kërkuar edhe kryetarëve të komunave që, përmes Inspektoratit Komunal, të jenë më rigoroz në kryerjen e detyrave ligjore, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten.
“Bashkë me Inspektoratin e Punës, bashkë me përfaqësues të ministrive relevante, është parë se cilat janë mundësitë më emergjente, të cilat mund t’i marrim si Qeveri në raport me sanimin apo parandalimin e këtyre situatave apo këtyre vdekjeve tragjike. Gjithsesi, një nga çështjet që është diskutuar edhe në takim, ka qenë që shumica e këtyre rasteve kanë qenë përgjegjësi e komunave, për të cilin fakt, kryeministri u ka bërë thirrje drejtuesve të komunave në nivel Kosove, që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet në kuadër të Inspektoratit Komunal dhe të veprojnë në këtë drejtim për të parandaluar aksidentet tragjike në të ardhmen”, thotë zëdhënësja Gashi.
Lidhur me idenë e KMDLNJ-së për krijimin e një fondi për punëtorët që pësojnë në vendin e punës, Gashi thotë se kjo çështje mbetet e hapur për diskutim, por ka shtuar se nuk e di nëse diçka e tillë mund të bëhet menjëherë.
“Ka edhe hapa të tjerë, sikur edhe fondi që e kanë kërkuar edhe organizatat e tjera. Por, në këtë fazë nuk është përmendur ndonjë opsion i tillë, meqenëse krijimi i ndonjë fondi, zakonisht bëhet në kohën kur para sa të miratohet buxheti për vitin pasues. Në këtë situatë, nuk e di se sa mund të marrë Qeveria një veprim të tillë, por gjithsesi ka mbetur ende diskutimi i hapur me të gjitha palët. Edhe në ditët në vijim do të merremi me këtë temë, në mënyrë që të kemi rezultate konkrete në terren. Por, alarmi i parë apo thirrja e parë, udhëzimet e para janë veçse deleguar nga ana e kryeministrit”, thekson Gashi.
Ndërkohë, kreu i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, thotë se është i habitur se si kompani të caktuara, të cilat, sipas tij, janë shkaktare të këtyre vdekjeve, nuk kanë dhënë përgjegjësi ligjore.
“Për neve është shumë e habitshme, pse për shembull që nuk ka asnjë rast që dikush është përgjigjur para ligjit për këto raste, pasi në njëfarë mënyrë është vrasje me vetëdije, nëse ju e detyroni punëtorin të punojë në katin e pesëmbëdhjetë pa mbrojtje, në kushte të rënda atmosferike, atëherë ju vetë po e shkaktoni vdekjen e tij”, shton Shala.
Ndryshe, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, ka thënë se ekzekutivi tashmë e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin që rregullon fushën e ndërtimit dhe arkitekturës. Miratimi i tij, nga legjislativi, sipas saj, do të rregullonte infrastrukturën ligjore në këtë sektor, i cili llogaritet më i rrezikshmi për punëtorët në Kosovë.