Në teatrin e qytetit “Avdush Hasani” në Podujevë, nën patronatin e kreut të komunës, Agim Veliu, u mbajt akademi përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të rënies së dëshmorëve në “Betejën e Shpëtimit”, betejë kjo e cila kishte zgjatur nga 27 prilli deri më 3 maj 1999, njofton Llapi.info

Të pranishëm pos kryetarit Veliu, për t’i përkujtuar të rënët në këtë akademi ishin edhe ish-komandanti i ZOLL Rrustem Mustafa- Remi, komandantë të brigadave, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, bashkëluftëtarë e qytetarë të tjerë.

Me këtë rast i pari i Podujevës, Agim Veliu, duke përmendur betejat e prillit të vitit 1999 në Llap, ka thënë se ato i kanë dhënë vulë luftës për çlirim të vendit.

“Në betejën të cilën ne sot e quajmë me të drejt “Beteja e Shpëtimit”, u tregua trimëri e heroizëm i gjithë ushtarëve që ishin pjesë e këtij operacioni gjashtë-ditësh. Por, lavdia e përjetshme u takon dëshmorëve të rënë në këtë betejë: Bedriut, Esetit, Elfirit, Shahinit e Jahës. Beteja të lavdishme si kjo e shpëtimit, ajo e Kaçandollit, Tabeve të Llapashticës si dhe shumë të tjera në Llap e gjithë andaj Kosovës i dhanë vulë luftës për çlirim. Në përpjekjet shekullore dhe luftën për liri, populli ynë pagoi çmimin e lartë të sakrificës dhe flijimit, ndërsa përballë patëm armikun që luftën e bënte duke shkelur konventa dhe duke kryer masakra mbi civilë në fëmijë, gra e pleq”, ka thënë Veliu.

“Përvjetorët si ky janë leksione vlerash historie dhe janë inspirim për të gjithë ne që të japim kontributin për zhvillimin e vendit. Kosova është në rrugën evropiane dhe euroatlantike, prandaj objektivi ynë mbetet anëtarësimi në BE, NATO dhe mekanizma tjerë ndërkombëtarë. Bashkërisht e kemi obligim ta forcojmë dashurinë për Kosovën e cila ka nevojë për mbështetjen, punën dhe përkushtimin tonë. Ky është vullneti qytetarë, por edhe amaneti i heronjve dhe dëshmorëve ndër breza”, është shprehur Veliu.

Ndërsa, në emër të Organizatës të Veteranëve të Luftës – kryetari i kësaj dege në Podujevë, Fahri Balaj, ka çmuar prezencën e qytetarëve në këtë akademi.

Komandanti i brigadës 152 i cili udhëhoqi këto beteja, Arif Muçolli, ka kujtuar momentet e lavdishme të heronjve të cilët dhanë jetën për liri. Muçolli ka përmendur betejat dhe sakrificat që dëshmorët dhanë para 20 viteve.

Në këtë përvjetor, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, ka theksuar se tani kanë obligim për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit.

“UÇK e përkrahur nga të gjithë shqiptarët, bëri që në krahë të saj të vijnë aleatët e botës. Për të ardhur deri këtu UÇK-së iu desh të bëjë disa beteja, sakrifica e që një ndër to është edhe “Beteja e Shpëtimit”. Kjo betejë njihet për mbrojtjen e popullatës dhe të plagosurve. Nëpër beteja ne dhamë më të dashurit tanë. Rënia në altarin e lirisë filloi me 26 prill ku në Kaçandoll bie luftëtari Shahin Gashi. Më 28 prill në Kalinë të Bradashit bie Jahë Hasani. Më 29 Prill në Potok në vendin e quajtur ‘Guri i Bardhë’ bie dëshmor Elfir Behrami. Në përpjekje të pashembullta për të përfunduar betejën bien heronjtë Bedri e Eset Maloku. Kjo betejë shton krenarinë e secilit. Dhimbja është shumë e madhe për ata që tani s’janë në mesin tonë. Por, ne ta kemi obligim që të reflektojmë për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit tonë”, ka thënë Mustafa.

Për fund të kësaj akademie, familjarëve të dëshmorëve të kësaj beteje u janë shpërndarë pllakata nderimi./Llapi.info