Me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, rrjeti i OJQ-ve “AVONET”, ka uruar të gjithë punëtorët në Republikën e Kosovës për ditën e punës, njëherit shprehin respektin dhe nderimin duke i kujtuar gjithë familjet të cilat kanë humbur familjarët e tyre nëpër vendet e punës.

Duke e shënuar dhe duke iu referuar ditës së punëtorëve, OJQ “AVONET”, shpreh keqardhje të thellë për gjithë qytetarët e vendit tonë të cilët kanë humbur jetën e tyre në mënyrë tragjike si dhe ata të cilët janë lënduar në vendet e punës, duke shpresuar se në Republikën e Kosovës të mos përsëriten e të mos shkaktohen më vdekje e lëndime të punëtorëve në vendet e tyre të punës.

“Për fatin e keq qytatarëve tanë dhe të shoqërisë sonë, vitin që e lëm pas si dhe në muajt e këtij viti, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të vendit tonë kanë humbur jetën e tyre në vendin e punës si rezultat i nivelit shumë ulët të sigurisë në punë. AVONET, në vazhdimësi është angazhuar në monitorimin e kushteve dhe sigurisë në punë, gjithashtu ka raportuar dhe njoftuar institucionet përgjegjëse si dhe opinionin e gjerë lidhur me aksidentet e rënda në punë, për fat të keq në pjesën e madhe të këtyre rasteve ka pasur aksidente me pasoja fatale për shëndetin e punëtorëve”, thuhet në komunikatë.

“Konstatojmë se përkundër avokimit dhe thirrjeve të vazhdueshme nga ana e shoqërisë civile, sindikaliatëve e të shoqatave për mbrojtjen e punëtorëve, gjendja dhe kushtet e sigurisë në punë akoma paraqesin shqetësim të lartë, është evidente moszbatimi i masave të duhura apo zbatimi i pamjaftueshëm i rregullave për sigurinë dhe shëndetin në punë, mosrespektimi dhe moszbatimi i ligjit të punës, të orarit të punës, pushimit vjetor, shëndetësor e të lehonisë”.