Sulmuesi italian, Mario Balotelli, beson se talenti i Lionel Messin e bën argjentinasin të pakrahasueshëm me këdo, përfshirë këtu edhe Cristiano Ronaldo. Italiani beson se këta të dy as që duhet të përmenden në të njëjtën fjali.
Argjentinasi Lionel Messi shkëlqeu me dy gola në fitoren 3:0 të Barcelonës ndaj Liverpoolit, në ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, duke u ndihmuar katalonasve që t’i afrohen titullit të Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.
Deri në momentin kur Messi i shënoi dy gola brenda shtatë minutave, përfshirë këtu një gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë, Barcelona po kalonte në një periudhe të vështirë kundër skuadrës së Jurgen Kloppit. Mirëpo, 31-vjeçari e dëshmoi edhe një herë rëndësinë e vet për skuadrën e Barcelonës.
Kjo paraqitje e Messit ishte vetëm vazhdimësi e ecurisë që argjentinasi e ka shijuar këtë sezon, me 48 gola dhe 22 asiste në 46 ndeshje të zhvilluara. Kjo formë e Messit vjen pas dështimit në Kupën e Botës me Argjentinën dhe në sezonin e kaluar të Ligës së Kampionëve me Barcelonën.
Messi përmendet shpeshherë në debatin se kush është futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve, ku krahasohet me Cristiano Ronaldon, që tani luan në Juventus. Ky krahasim u bë posaçërisht gjatë kohës sa të dy luanin në La Liga, para se Ronaldo të largohej nga Real Madridi.
Megjithatë, transferimi i portugezit te gjiganti i Serisë A, Juventus, këtë sezon, nuk e ka ndihmuar klubin italian të arrijë më shumë në skenën evropiane. Madje, Juventusi këtë sezon dështoi edhe në Kupën e Italisë, ndërsa e fitoi titullin e Serisë A.
Tani, Balotelli – i cili për momentin po luan në Ligue 1 për Marseille – e ka shfrytëzuar llogarinë e tij në rrjetin social Instagram për ta shfaqur mbështetjen e tij për yllin e Barcelonës, përderisa shtoi se debati se a është më i mirë Messi apo Ronaldo nuk është më i vlefshëm.
“Për dashurinë ndaj futbollit, ju lutem mos e krahasoni atë [Messin] me numrin shtatë të Juventusit”, shkroi sulmuesi italian në llogarinë e tij në Instagram.
Megjithatë, krahasimet mes Messit dhe Ronaldos nuk priten që të marrin fund, veçanërisht për shkak se që të dy futbollistët i kanë baras gola, 600, të shënuara gjatë karrierës së tyre me klube.