Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është përgjigjur para Komisionit për Punë të Jashtme lidhur me Samitin e Berlinit dhe procesin e njohjeve, të adresuara nga deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani.

“Atje nuk ka pasur një qëndrim të koordinuar dhe unik të dy institucioneve. A mendoni që ky mosunitet i qëndrimeve ka dëmtuar raportet bilaterale me shtetet nikoqire dhe raportet e Kosovës në nivel ndërkombëtar. Çështja e dytë ka të bëjë me njohjet. Këto dy vite kemi ngecjen më të madhe në procesin e njohjeve. Cila është arsyeja themelore e ngecjes së njohjeve”, ka pyetur Osmani.

Pacolli tha se ka pasur presione që taksa të hiqet.

Ai tha se nga ambasadori amerikan është kërkuar që taksa të pezullohet për dy javë, ndërsa nga Merkel është kërkuar që të pezullohet dhe të shihet nëse dialogu shkon në rrugën e duhur.

Kurse, për njohjet kryediplomati kosovar tha se është bërë proces i ndërlikuar për shkak të interesave gjeostrategjike të shteteve të mëdha.

“Sa i përket njohjeve është një proces i ndërlikuar. Është ndërlikuar jashtëzakonisht sepse bota është ndarë në interesa gjeostrategjike, një pjesë dominohet nga Kina dhe normalisht dominon edhe politikisht. Rusia është shumë prezente, në mënyrë intensive punon në disa shtete”.

Ai bëri të ditur se këto ditë pritet njohja nga Kongo. Pacolli theksoi se ka marrë konfirmimin se edhe shteti i Etiopisë tashmë ka nisur procedurat për njohjen e Kosovës.

Gjatë raportimi, kryediplomati kosovar njoftoi po ashtu se Kosova do aplikojë për Këshillin e Evropës pasi sipas tij tani është e gatshme.