Në ditën botërore të lirisë së shtypit presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se liria e Kosovës i ka rrënjët edhe në lirinë e shtypit.

Dhe se ishin mediat e lira ndërkombëtare ato të cilat pa censurë kanë informuar botën për qindra masakra, për vuajtjet dhe për spastrimin etnik që po ndodhte në Kosovë në 1998-1999.

Thaçi ka thënë se i gëzohet faktit që gazetarët në Kosovë kanë ndjekur shembullin e mediave ndërkombëtare për ta thënë të vërtetën.

“Më 1998-1999, liria e shtypit fitoi mbi censurën. Mediat e lira fituan mbi ato të kontrolluara nga regjimi serb. Gazetarët tanë janë rritur me këtë frymë dhe sot në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, i gëzohemi faktit që kemi krijuar një mjedis për ta ndjekur shembullin e tyre për ta thënë të vërtetën”, ka shkruar presidenti Thaçi në Facebook.

Shkrimi i plotë:

Liria e Kosovës i ka rrënjët edhe në lirinë e shtypit. Ishin mediat e lira ndërkombëtare, të cilat pa censurë informuan botën për qindra masakra, për vuajtjet dhe spastrimin etnik që po ndodhte në Kosovë. Më 1998-1999, liria e shtypit fitoi mbi censurën. Mediat e lira fituan mbi ato të kontrolluara nga regjimi serb. Gazetarët tanë janë rritur me këtë frymë dhe sot në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, i gëzohemi faktit që kemi krijuar një mjedis për ta ndjekur shembullin e tyre për ta thënë të vërtetën. Liria e shtypit, liria e shprehjes, e cila është me përgjegjësi të madhe publike, është e drejtë themelore dhe e forcon edhe demokracinë tonë!