Të dyshuarit për krime lufte Zoran Gjokiq nga Peja, i është zgjatur paraburgimi edhe për dy muaj me dyshimin se gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, ka bërë krime lufte ndaj popullatës civile.

Kështu, sipas pohimit të avokatit të tij, Lubomir Pantoviq, ka vendosur Gjykata Themelore në Pejë.

Avokati e ka quajtur zgjatjen e paraburgimit të kundërligjshëm.

“Për tre muaj që kur Gjokiqi është në paraburgim, Prokuroria ka bërë vetëm tri hetime dhe kjo nuk u mjafton për t’u dëshmuar fajësia, ndërsa tregon për ngadalësinë e veprimit të organeve të drejtësisë në Kosovë”, ka thënë Pantoviq, njofton agjencia serbe e lajmeve beta, transmeton Koha.net.

Zoran Gjokiq është arrestuar në fillim të shkurtit në vendkalimin Jarinje në veri të Kosovës.

Nga viti 2015 Gjokiqi ka jetuar në Mitrovicë, ka punuar në organizata joqeveritare e, siç thotë beta, një kohë edhe në Qeverinë e Kosovës.

Gjokiqi masën e paraburgimit po e vuan në burgun Special të Sigurisë së Lartë në Podujevë.