Qytetarët e Kosovës ushqehen me fruta dhe perime kryesisht të importuara.

Në bazë të një matësi të nitrateve në këto produkte, del se kosovarët ushqehen joshëndetshëm, raporton KTV.

Mjafton vendosja e matësit mbi produkt, për të parë rezultatet.

Një qytetar i Prishtinës, i cili posedon këtë pajisje, ka postuar në rrjete sociale fotografi që dëshmojnë se niveli i nitrateve është 10 fish më i madh se sa norma e lejuar, duke e cilësuar gjendjen alarmante.

Rezultate të njëjta ka dhënë matësi edhe kur ekipi i KTV-së ka blerë disa produkte në tregjet e Prishtinës. Me norma të tejkaluara janë domatja, banania, lakra e patatja.

Qytetarët thonë se organet përgjegjëse duhet të kontrollojnë produktet ushqimore.

Në Agjencinë e ushqimit dhe veterinës, zëdhënësi, Lamir Thaçi ka thënë se për këtë çështje mund të flasin të hënën.

Ndërkohë, video të tilla të publikuara ditë më parë edhe në Shqipëri, kanë bërë që kryeministri Edi Rama të paralajmërojë masa të rrepta, duke përfshirë edhe burgim deri në 10 vjet për ata që mashtrojnë me produkte ushqimore.